Ndërsa qeveritë marrin masa drastike ndaj Airbnb, ja të drejtat tuaja për rimbursim nëse rezervimi juaj anulohet

Me sezonin e verës në kulmin e tij, udhëtarët që rezervojnë qira afatshkurtra përmes platformave si Airbnb mund të përballen me sfida të papritura. Qeveritë në Evropë dhe Azi kanë nisur një ofensivë ligjore ndaj pronave të dhëna me qira për periudha të shkurtra.

Vetëm muajin e kaluar, Spanja urdhëroi heqjen nga platforma të 65,000 pronave të paligjshme, ndërsa Tajlanda paralajmëroi të huajt për ndalimin e dhënies me qira të apartamenteve të tyre. Italia dhe Greqia gjithashtu kanë miratuar masa kufizuese, duke rritur rrezikun e anulimeve të befasishme për turistët.

Në këtë kontekst, shumë udhëtarë mund të gjenden pa akomodim në momentin e fundit dhe me para të humbura. Ekspertët e sigurimeve theksojnë se siguracioni i udhëtimit mund të ndihmojë, por vetëm nëse anulimi ndodh për arsye të mbuluara si sëmundje ose mot i keq. Kufizimet e vendosura nga qeveritë zakonisht nuk mbulohen nga paketat standarde.

Airbnb dhe platformat e tjera ofrojnë mbrojtje për përdoruesit: nëse pritësi anulon ose prona nuk është siç është reklamuar, përdoruesit mund të kërkojnë një zëvendësim ose rimbursim. Megjithatë, shpenzime të tjera si fluturimet, makinat me qira apo rezervimet e tjera nuk përfshihen. Për këtë arsye, ofruesit si Squaremouth rekomandojnë marrjen e një siguracioni me opsionin “anulo për çfarëdo arsye” (CFAR), që ofron rimbursim të pjesshëm edhe në rastet kur anulimi ndodh për arsye që nuk mbulohen zakonisht.

Një alternativë tjetër është rezervimi i udhëtimeve përmes agjentëve turistikë, duke kombinuar fluturimet dhe akomodimin në një paketë që mbrohet nga rregulloret financiare të udhëtimit. Kjo garanton kompensim nëse ndonjë pjesë e paketës dështon.

Ekspertët theksojnë se fleksibiliteti, planifikimi dhe sigurimi i duhur janë kyç për të shmangur telashe të papritura gjatë pushimeve. Në një klimë me rregullore që ndryshojnë shpesh, mbrojtja ligjore dhe financiare është më e rëndësishme se kurrë.