Ishulli turistik që po ‘falimenton’ shërbimin e ambulancës, shkak thirrjet nga…
Shërbimi i ambulancës në ishullin spanjoll të Ibizës thotë se është në rrezik falimentimi për shkak të thirrjeve të shpeshta për të ndihmuar anëtarët e klubeve të natës, që kanë përvoja të këqija me drogat rekreative.
Sindikata lokale e ambulancave thotë se deri në një e treta e thirrjeve emergjente janë në klube, më i madhi prej të cilave ka një kapacitet prej deri në 10,000 personash, dhe kryesisht lidhen me drogën. Ajo po u bën thirrje pronarëve të klubeve të kontraktojnë shërbime private ambulancash.
“Është e pakonceptueshme që bizneset me të ardhura prej miliona eurosh në vit nuk mund ta ofrojnë këtë shërbim, i cili po i mbingarkon shërbimet e urgjencës në kurriz të popullsisë lokale”, tha për elDiario.es presidenti i sindikatës lokale të shërbimeve shëndetësore, José Manuel Maroto.
“Klubet janë të detyruara të punësojnë infermierë dhe punonjës të tjerë shëndetësorë, por jo ambulanca, kostoja e të cilave mbulohet nga shërbimet publike”, tha ai, duke shtuar se ishte e padrejtë që 161,000 banorët e ishullit të merrnin një shërbim inferior, për shkak të kërkesave të 3.6 milionë vizitorëve vjetorë.
Sipas Marotos, vetëm një klub i madh, DC-10, përdor një shërbim privat.
Ishulli, pjesë e shtegut të hipive në vitet 1970, ka qenë një qendër për adhuruesit e klubeve që nga fillimi i viteve 1980. Klubet pioniere ishin Amnesia dhe Pacha, por dhjetëra të tjera kanë lindur që atëherë, duke e bërë skenën e vallëzimit - dhe drogat që e ushqejnë atë - një pjesë të madhe të industrisë turistike të Ibizës.
Ylli i Hollivudit, Will Smith, ishte në inaugurimin muajin e kaluar të UNVRS, klubit më të madh të ishullit, ku hyrja më e lirë është 100 euro (86 paund) dhe një pije mund të kushtojë 25 euro.
Sipas qeverisë rajonale, turistët në ishull shpenzojnë 1.5 euro për çdo 10 euro në pistën e vallëzimit, por shumë anëtarë të klubeve ankohen se skena tani është e gjitha për para dhe DJ të famshëm që kërkojnë tarifa të mëdha për paraqitjet.
Një studim nga gazeta lokale El Diario de Ibiza, zbuloi se ishulli është destinacioni i tretë më i shtrenjtë në Mesdhe pas Saint-Tropez dhe Capri.
Pjesa më e madhe e parave shkon për një kompani të themeluar nga ish-futbollisti dhe politikani Abel Matutes.
Familja Matutes, më e fuqishmja në Ibiza, si dhe zotëron hotele të shumta në Spanjë, Meksikë dhe SHBA, zotëron tre nga vendet më të mëdha të festave në ishull, Ushuaïa, Hï Ibiza dhe UNVRS.
Drogat janë një pjesë e madhe e ekonomisë informale dhe konfiskimet e mëdha janë të zakonshme. Më shumë se një milion doza MDMA, u gjetën në një bastisje të vetme vitin e kaluar.
Një studim i botuar në European Psychiatry zbuloi se në Ibiza kishte 58 vdekje të lidhura me drogën midis viteve 2010 dhe 2016, me përqindjen më të madhe (36%) që ishin britanikë të rinj./ The Guardian.