Aplikacioni TikTok, me dizanj të ri për tregun amerikan
Platforma e mediave sociale TikTok po zhvillon një aplikacion të ri posaçërisht për tregun amerikan për të zëvendësuar aplikacionin e saj ekzistues, mes kërcënimit të një ndalimi të mundshëm në Shtetet e Bashkuara, raportoi The Information, duke cituar burime të njohura me çështjen.
Sipas raportit, aplikacioni i ri, aktualisht me emrin e koduar M2, është planifikuar të lançohet në dyqanet e aplikacioneve në SHBA më 5 shtator, në pritje të miratimit përfundimtar nga menaxhmenti i TikTok.
Më 29 qershor, Presidenti i SHBA-së Donald Trump deklaroi në një intervistë me Fox News se "një grup njerëzish shumë të pasur" është i përgatitur të blejë TikTok nga kompania e tij mëmë, ByteDance. Në atë kohë, Trump tha se do të ishte gati të zbulonte identitetin e blerësve potencialë "brenda rreth dy javësh". Duke komentuar mbi këtë çështje, zëdhënësi i Ambasadës Kineze Liu Pengyu i tha TASS se Pekini do të vepronte në përputhje me ligjet dhe rregulloret e Kinës, në lidhje me TikTok.
Ish-Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, nënshkroi legjislacionin në vitin 2024, që e detyronte ByteDance ose të hiqte dorë nga TikTok ose të ndërpriste operacionet e saj në Shtetet e Bashkuara deri më 19 janar të këtij viti. Sipas raportimeve të medias, administrata e Uashingtonit kërkoi blerës potencialë për 50% të aksioneve në TikTok./ TASS.