Netanyahu para takimit me Trump në Shtëpinë e Bardhë/ ‘Mund të ndihmojë në armëpushimin në Gaza’

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi ditën e sotme, para nisjes për në Uashington ku do të takohet me Donald Trump, se ky takim mund të kontribuojë në arritjen e një marrëveshjeje për armëpushim dhe lirimin e pengjeve në Gaza.

"Po punojmë për të arritur këtë marrëveshje, në përputhje me kushtet që kemi pranuar. Kam dërguar një ekip negociator me udhëzime të qarta. Besoj se takimi me Presidentin Trump mund të ndihmojë në avancimin e këtij qëllimi që të gjithë e shpresojmë", u tha Netanyahu gazetarëve në pistën e aeroportit Ben Gurion.

Kjo është vizita e tij e tretë e Netanyahut në Shtëpinë e Bardhë që nga rikthimi i Trumpit, gati gjashtë muaj më parë.

Pavarësisht presionit në rritje të opinionit publik izraelit për të ndalur luftën në Gaza dhe për të arritur një marrëveshje armëpushimi, Netanyahu përballet me presion të fortë nga partnerët e tij të ekstremit të djathtë në qeveri, një prej qeverive më konservatore që Izraeli ka njohur, të cilët kërkojnë vazhdimin e luftës.

Nga ana tjetër, Hamasi është shprehur ‘pozitiv’ ndaj një propozimi për armëpushim të mbështetur nga SHBA, por ka rezerva sa i përket shpërndarjes së ndihmës humanitare, kontrollit të kalimit kufitar në Rafah dhe afateve për tërheqjen e forcave izraelite.

Zyra e Netanyahut ka deklaruar se kërkesat shtesë të Hamasit janë të papranueshme për Izraelin.

Megjithatë, në funksion të takimit me Trumpin, qeveria izraelite theksoi se ka dërguar një delegacion në Doha ‘për të vazhduar përpjekjet për kthimin e pengjeve tanë, bazuar në propozimin e Katarit me të cilin Izraeli është pajtuar’.

Sidoqoftë, bëhet fjalë për një delegacion me përfaqësues të nivelit të ulët, të cilët nuk kanë mandat për të zhvilluar negociata të plota apo për të marrë vendime thelbësore. Syri.net-Protothema