Courtois i del në mbrojtje Donnarumës për dëmtimin që i shkaktoi Musialas/ ‘Edhe ne portierët njësoj si sulmuesit, luftojmë për topin’

Paris Saint-Germain triumfoi ndaj Bayern Munich me rezultatin 2-0, por ndeshja u errësua nga një episod dramatik, dëmtimi i rëndë i mesfushorit bavarez Jamal Musiala, i cili u detyrua të largohej nga loja në fund të pjesës së parë pas një ndërhyrjeje të vonuar nga portieri Gianluigi Donnarumma.

Mesfushori gjerman pësoi një frakturë të fibulës dhe pritet të mungojë për më shumë se pesë muaj. Donnarumma, sapo kuptoi se dëmtimi ishte i rëndë dhe se ai vetë e kishte shkaktuar pa dashje, shpërtheu në lot.

Por kjo nuk e zbuti aspak reagimin e portierit dhe kapitenit të Bayern Munich, Manuel Neuer, i cili kritikoi ashpër Donnarumma-n pas ndeshjes. “E panevojshme dhe e pakujdesshme,” tha Neuer, duke shtuar se italiani as nuk u përpoq të shihte si ishte Musiala pas ndërhyrjes.

Në mbrojtje të Donnarumma-s doli portieri i Real Madridit, Thibaut Courtois, i cili e justifikoi incidentin si pjesë të rrezikut në lojë.

Menjëherë mendova se ishte një situatë e rëndë,” tha Courtois pas fitores së Realit ndaj Dortmundit në çerekfinalen e Kupës së Botës për Klube.
Por të thuash se Donnarumma është fajtor, kjo është e tepërt. Portierët gjithmonë shkojnë për topin, njësoj si sulmuesit. Nuk mund ta ndalosh çdo lëvizje sepse ke frikë se mos dëmton dikë.”

Ai shtoi se në momentet e tilla, gjithçka ndodh me instinkt:
Kur sulmuesi vjen drejt teje, ai nuk mendon nëse do të të godasë në fytyrë. Ne portierët veprojmë njësoj. Është për të ardhur keq që ndërhyrja përfundoi kështu. Donnarumma nuk meriton të fajësohet, ai është i tronditur edhe emocionalisht.”