Bregu Perëndimor/ Kolonët izraelitë sulmojnë grupin e xhirimit të televizionit gjerman
Anëtarë të ekipit televiziv të Deutsche Welle janë sulmuar nga kolonë izraelitë në Bregun Perëndimor, njoftoi transmetuesi publik gjerman në një deklaratë zyrtare.
Pas incidentit, qeveria gjermane ka kërkuar garanci për sigurinë e gazetarëve që punojnë në territor.
Ngjarja ndodhi të premten pranë fshatit Sinjil, në veri të Ramallahut, ndërsa një korrespondent i DË nga zyra në Jerusalem dhe kameramani i tij po mbulonin një protestë kundër dhunës së kolonëve.
Ata u qëlluan me gurë dhe u ndoqën nga disa kolonë izraelitë. Megjithëse të dy punonjësit e medias arritën të shpëtonin pa lëndime, automjeti i tyre u dëmtua rëndë.
Drejtori i Përgjithshëm i Deutsche Welle, Peter Limbourg, e dënoi sulmin dhe theksoi rëndësinë e mbrojtjes së gazetarëve:
“Kërkojmë qartë nga qeveria izraelite të garantojë sigurinë e të gjithë gazetarëve në Bregun Perëndimor. Liria e shtypit, dhe për pasojë siguria e gazetarëve, është shtyllë themelore e çdo demokracie.”
Edhe ambasadori gjerman në Izrael, Steffen Seibert, reagoi përmes një postimi në platformën ‘X’ (ish-Twitter):
“Raportet për sulme të dhunshme nga kolonët ndaj gazetarëve të huaj janë jashtëzakonisht shqetësuese. Liria e shtypit dhe siguria e gazetarëve duhet të mbrohen. Puna e tyre është thelbësore, sidomos përballë dhunës në rritje nga kolonët ekstremistë.”
Sulmi është dënuar edhe nga Shoqata e Gazetarëve Gjermanë. Presidenti i saj, Mika Beuster, kërkoi hetim të plotë dhe përgjegjësi ligjore:
“Kolonët radikalë nuk mund të ndjekin apo sulmojnë gazetarët pa u ndëshkuar. Kjo nuk duhet të mbetet pa pasoja.”
Fshati Sinjil ndodhet në zonën e kontrolluar nga Autoriteti Palestinez. Sipas mediave ndërkombëtare, banorët organizuan një tubim paqësor të premten për të protestuar ndaj dhunës dhe grabitjes së tokave nga kolonët.
Kohët e fundit, autoritetet izraelite ngritën një gardh përgjatë zonës, duke ndarë fshatin nga rruga kryesore veri-jug e Bregut Perëndimor (Rruga 60). Si rezultat, disa banorë nuk kanë më qasje në fshatrat përreth dhe një pjesë e të korrave bujqësore janë shkatërruar.
Përveç ekipit të Deutsche Welle, në zonë ndodheshin gjithashtu edhe korrespondentë nga New York Times, Washington Post dhe Agence France-Presse, të cilët, sipas DW, u detyruan të largoheshin për shkak të situatës së pasigurt. Syri.net-Protothema