SYRI TV/ Shqipëria, laborator studimi për emigracionin masiv

Shqipëria është kthyer në një ‘laborator’ ideal për studiuesit e emigracionit, të cilët e cilësojnë vendin tonë si një vend unik sa i përket emigrimit masiv.

Sipas tyre, shkaqet mbizotëruese të emigrimit aktualisht mbeten ato ekonomike, varfëria, papunësia dhe pagat më të larta jashtë vendit. Gjithashtu mungesa e besimit te institucionet apo dhe korrupsioni janë të tjerë faktorë që detyrojnë shqiptarët të largohen.

Shqipëria është kthyer në një ‘laborator’ ideal për studiuesit e emigracionit, duke qenë një vend unik sa i përket fenomenit të emigrimit masiv. Të nxitur nga kriza ekonomike, mungesa e perspektivës dhe dëshira për një jetë më të mirë, shqiptarët u përfshinë në një valë të pandalshme emigrimi, pas dekadash izolimi – raporton Monitor. Një fakt i tillë ka bërë që studiuesit të kenë mundësi të vërejnë forma të ndryshme të emigrimit si ai ekonomik, nëpërmjet azilit, “Brain Drain”, migracioni martesor, kthimet e pjesshme dhe lëvizjet e brendshme drejt qendrave urbane. Sipas studiuesve, shkaqet mbizotëruese të emigrimit aktualisht mbeten kryesisht ekonomike: varfëri, papunësi dhe pagat më të larta jashtë vendit. Por gjithashtu po ndikojnë gjithnjë e më shumë faktorë kulturorë dhe shoqërorë si mungesa e besimit në institucionet, korrupsioni dhe dëshira për “një jetë normale”. Profilet e emigrantëve janë të ndryshme, nga punëtorë me pak kualifikim, te profesionistë të arsimuar, studentë dhe azilkërkues. Sipas të njëjtave studime, rreth 40% e emigrimit në periudhën 2012-2019 përbëhej nga të rinj të diplomuar. Gjermania, SHBA dhe Britania janë bërë destinacionet më të preferuara, në vend të Italisë dhe Greqisë.

Gjithashtu është rritur dëshira për arsim dhe trajnim jashtë vendit, sidomos në radhët e të rinjve 18-40 vjeç. Nga një këndvështrim, emigracioni rrit rezervat valutore nëpërmjet remitancave, por nga ana tjetër, efektet negative janë shumë herë më të mëdha, pasi emigrimi po ndikon në thellimin e pabarazive rajonale dhe sociale. Nga ata të cilët janë larguar, një pjesë e vogël kthehen sërish në vendin tonë, dhe ato lidhen kryesisht me azilkërkuesit e refuzuar apo dhe me ata që preken nga krizat në vendet pritëse. Shumica e shqiptarëve që jetojnë jashtë, ruajnë ende lidhje me vendin tonë, por nuk planifikojnë të rikthehen. Sipas sondazheve, vetëm 17% e diasporës shkencore dhe 15% e mjekëve duan të kthehen, me shumicën që përmendin si pengesa mungesën e stabilitetit politik dhe ekonomik, korrupsionin, mungesën e meritokracisë dhe infrastrukturën e dobët.

Ata që kthehen shpesh ndihen si të huaj në vendin e tyre. Të kthyerit përballen me korrupsion, burokraci, informalitet dhe sfida për të ndërtuar biznese, ndërkohë që zonat rurale boshatisen e Tirana mbingarkohet nga ndërtimet. Studiuesit mendojnë se perspektiva për kthim masiv mbetet e ulët për sa kohë mungojnë reformat reale dhe çmimet rriten më shpejt se pagat.