SYRI TV/ Qeveria nuk merr masa për përmirësimin e trajtimit të pacientëve me sëmundje imunitare në Onkologjik
Mazhoranca socialiste nuk ka asnjë masë për të përmirësuar situatën e trajtimit të pacientëve me sëmundjet imunitare, në Spitalin Onkologjik.
Një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili konstatoi aparatura jashtë shërbimit dhe mungesë të shërbimeve të tjera për pacientët, verifikoi më vonë se qeveria shqiptare nuk mori asnjë masë për të përmirësuar situatën, në një kohë që numri i pacientëve është në rritje.
Një raport zyrtar, i publikuar së fundmi, dëshmon se sistemi shëndetësor onkologjik në Shqipëri, jo vetëm është në pikiatë, por më e rënda është që autoritetet shtetërore nuk kanë lëvizur thuajse aspak për të përmirësuar disi situatën e trajtimit të pacientëve me sëmundje imunitare.
Pak ditë më parë, strukturat spitalore qendrore u mbrojtën publikisht, duke deklaruar se po punonin që disa aparatura jetike të dala jashtë shërbimit, të riktheheshin në funksion. Por, qëndrimi zyrtar i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Qendrës Spitalore Universitare Tiranë duket se ishte vetëm një tentativë për të mbuluar sadopak skandalin e mosfunksionimit të pajisjeve të nevojshme për pacientët me tumor.
Në vitin 2023, Kontrolli i Lartë i Shtetit konstatoi se aparatura si Brakiterapia apo Ortovoltazhi në Spitalin Onkologjik të Tiranës ishin jashtë funksionit, duke lënë pa shërbim qindra pacientë nga e gjithë Shqipëria. Gjithashtu, në atë raport konstatohej mungesa e theksuar e shtretërve për kimioterapi, numër i ulët i stafit mjekësor, e të tjerë. Në përfundim të atij raporti, grupi i auditimit dha disa rekomandime për përmirësimin urgjent të situatës. KLSH u rikthye për të verifikuar rekomandimet e lëna dhe u konstatua se thelbi i problemeve nuk ishte trajtuar aspak nga strukturat e larta shëndetësore.
Verifikimet tregojnë se shpenzimet financiare për trajtimin e sëmundjeve tumorale nuk janë rritur, por janë mbajtur pothuajse të pandryshueshme, ndërkohë që numri i pacientëve është në rritje. Numri i poltronave vijon të jetë vetëm 19, ndërkohë që gjatë një dite trajtohen me kimioterapi rreth 75-80 pacientë, të cilët janë nga Tirana dhe nga qytetet e tjera. Spitali Onkologjik në Tiranë e ka të pamundur të krijojë kushte shtrimi në spital për të gjithë pacientët të cilët kanë nevojë, pasi shërbimi me radioterapi është i centralizuar. Në total janë trajtuar të hospitalizuar vetëm 9% të pacientëve, ndërsa 91% të pacientëve kanë marrë trajtimin e seancave të radioterapisë jo të hospitalizuar.