Ish-mesfushori i Arsenalit në telashe, 5 akuza për dhunë e agresion seksual

Mbi ish-futbollistin e Arsenalit, Tomas Parti, rëndojnë disa akuza për dhunim dhe për agresion seksual. Sipas raportimeve të fundit nga mediat europiane, ganezi përballet me pesë akuza për përdhunim dhe një akuzë për sulm seksual. Ai vetë e ka mohuar gjithçka, por policia metropolitane e Londrës ka njoftuar se veprat penale dyshohet se kanë ndodhur në vitet 2021 e 2022.

Akuzat kanë të bëjnë me tri gra të ndryshme, të paktën sipas asaj që ka bërë të ditur kanali “BBC”. Dy akuza janë për dhunimin e një gruaje dhe tri akuza të tjera për dhunim të një gruaje tjetër. Ndërkohë, një akuzë ka të bëjë me sulm seksual ndaj një tjetër gruaje. 32-vjeçari ishte pjesë e Arsenalit deri të martën, kur edhe i përfundoi kontrata dhe aktualisht është pa ekip. Parti më parë ka luajtur edhe tek Atletiko Madridi, Majorka e Almeria, ku ka qenë i huazuar.

Në skuadrën londineze të Arsenalit, ku erdhi në 2020-n për 45 milionë euro, Parti luajti për pesë vjet, ku bëri 167 ndeshje, në të cilat ka shënuar 9 gola dhe asistoi 7 herë. Tashmë, Parti do të paraqitet në një gjykatë në Londër më 5 gusht. Në fakt, ai ishte arrestuar për herë të parë në korrik të 2022-shit, ndonëse emri nuk kishte dalë në “dritë”.