Alarmi i rremë për bombë në Kuvendin e Kosovës, policia: Dyshohet se thirrja telefonike u bë nga Serbia

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se alarmi i rremë për bombë në Kuvendin e Kosovës, i ndodhur të shtunën në mëngjes, dyshohet të ketë ardhur nga një numër telefoni që mendohet se është nga Serbia.

Alarmi ndodhi para nisjes së seancës për konstituimin e Kuvendit, e cila ishte përpjekja e 42-të për ta zgjedhur kryetarin e legjislativit. Për shkak të kërcënimit, objekti u evakuua dhe seanca u shty. Pas rreth tri orë e gjysmë kontrollesh, autoritetet konfirmuan se bëhej fjalë për një alarm të rremë.

Sipas njoftimit zyrtar, Policia e Kosovës, në bashkëpunim me institucionet e tjera të sigurisë, ka nisur hetime intensive për të identifikuar origjinën e thirrjes dhe rrjetin e përdorur për këtë kërcënim.

“Bazuar në hetimet e deritanishme, dyshohet se kërcënimi ka ardhur përmes një numri telefoni që dyshohet se është nga Serbia,” thuhet në deklaratën e Policisë.

Po ashtu, organet hetimore janë në komunikim me partnerët ndërkombëtarë të sigurisë për të zbuluar mjetet dhe rrjetet e komunikimit që mund të jenë përdorur në këtë rast.