Dembélé dhe homazhi prekës për Diogo Jota-n pas golit ndaj Bayern-it

Ousmane Dembélé ka bërë një gjest prekës në nderim të Diogo Jota-s, pas golit të dytë që vulosi fitoren 2-0 të PSG-së ndaj Bayern-it në çerekfinalen e Botërorit për Klube.

Sulmuesi i drejtuar nga Luis Enrique zgjodhi të festonte në mënyrën e veçantë që e karakterizonte ish-sulmuesin portugez të Liverpool-it, i cili humbi jetën tragjikisht të enjten në një aksident automobilistik në Spanjë, së bashku me vëllanë e tij André Silva.

Menjëherë pas shënimit të golit, Dembélé u ul në fushë duke imituar një lojtar videogames-i me një joystick në duar, festim që Jota e kishte bërë ikonë të tijën. Një gjest simbolik dhe emocional që preku zemrat e tifozëve dhe rikujtoi humbjen e dhimbshme të një futbollisti të dashur nga bota e futbollit.