Kompany jep përditësim për dëmtimin e rëndë të Musialës: Duhej të shkonte në spital dhe nuk dukej mirë
Pas humbjes së Bayern-it ndaj Paris Saint-Germain, trajneri Vincent Kompany dha një përditësim të shkurtër mbi gjendjen e Jamal Musialës, i cili u detyrua të largohej nga fusha në pjesën e parë për shkak të një dëmtimi që dukej serioz.
Bayern u eliminua nga Botërori për Klube të shtunën në mbrëmje, pasi u mund 2-0 nga PSG. Por humbja u bë edhe më e rëndë për bavarezët nga fakti se sulmuesi ‘yll’ i skuadrës, Jamal Musiala, u largua me barelë pak para përfundimit të pjesës së parë pas një përplasjeje që çoi në një dëmtim të rëndë të dukshëm.
Duke folur pas ndeshjes për DAZN, Kompany u shpreh:
"Ai duhej të shkonte në spital dhe nuk dukej mirë. Ndjesia mbizotëruese është shpresa që nuk është aq keq sa duket dhe që do ta kalojë këtë moment."
Musiala kishte vetëm pak kohë që ishte rikuperuar nga një dëmtim i mëparshëm në muskuj që e kishte mbajtur jashtë për disa muaj.
"Është pengesa e dytë në një kohë shumë të shkurtër. Ai është një lojtar që e do futbollin, është jeta e tij. Do ta ndiejë fort këtë goditje, por do ta kalojë dhe do të rikthehet edhe më i fortë. Shpresoj që sezonin tjetër të jetë aty për të ngritur trofe me Bayernin," shtoi Kompany.
Sipas ‘Sky Germany’, dyshohet se Musiala ka pësuar një frakturë në fibul (kocka e jashtme e këmbës). Një diagnozë përfundimtare do të jepet sapo të përfundojnë ekzaminimet mjekësore.