Real Madrid hap dyert për shitjen e Rodrygo-s, Arsenali në pritje
Te Real Madridi ka nisur të marrë formë çështja “Rodrygo”. Sulmuesi anësor brazilian, që në fundin e sezonit të kaluar me Carlo Ancelotti-n dhe në ndeshjet e para të Botërorit për Klube me Xabi Alonson ka luajtur shumë pak, vetëm 23 minuta në total, po kërkon më shumë hapësira në fushë.
Sipas asaj që raporton ‘The Athletic’, burime brenda klubit madrilen kanë konfirmuar se drejtuesit e Realit janë të hapur për një shitje të mundshme të brazilianit. Natyrisht, për ta larguar nga “Santiago Bernabéu” do të kërkohet një ofertë bindëse. Kujtojmë që “Los Blancos” e blenë Rodrygo-n në vitin 2019 nga Santos për 40 milionë euro, kur ai ishte vetëm 18 vjeç.
Sot, sipas Transfermarkt, vlera e tij është rreth 90 milionë euro dhe vetëm një ofertë në këtë nivel mund të bindë Realin për ta lënë të largohet.
Në krye të listës së interesimit është Arsenali. “Topçinjtë” kanë kohë që e ndjekin Rodrygo-n dhe e konsiderojnë një objektiv të rëndësishëm, veçanërisht nëse realizojnë shitjen e Gabriel Martinellit, bashkëkombës i tij.