Bayern, Hoeness kundër Nico Williams: Nuk kuptoj çfarë dëshiron, edhe Flick u habit
Presidenti i nderit i Bayernit, Uli Hoeness, ka komentuar pa doreza mbi lëvizjet e merkatos së klubit bavarez, gjatë një interviste për BR24 Sport. Ai nuk i kurseu fjalët kritike, veçanërisht për një nga emrat më të lakuar së fundmi në Gjermani: Nico Williams.
Edhe pse lojtari ka rinovuar së fundmi me klubin e tij aktual, disa në Gjermani e shohin ende si objektiv për të ardhmen. Por Hoeness e përjashton një rikthim të interesit të Bayernit për sulmuesin spanjoll:
“Do të jetë objektivi ynë kryesor vitin tjetër? Jo, është mbyllur. I habitur? Të gjithë jemi befasuar. Jam në kontakt të ngushtë me Hansi Flick, i cili aktualisht është me pushime në Tegernsee. Edhe ata mbetën të habitur, sepse më parë kishin një marrëveshje të pashkruar me të,” – zbuloi Hoeness.
Më tej ai shton me tone kritike për Nico Williams:
“Nuk e kuptoj mirë se çfarë dëshiron. Por sipas mendimit tim, disa thjesht kërkojnë më shumë para. Klauzola e tij ishte 60 milionë euro dhe tani po përpiqen të përfitojnë më shumë vitin e ardhshëm.”
Në fund, Hoeness foli edhe për Nick Woltemade, sulmues i Stuttgartit, që pëlqehet nga Bayerni:
“Kemi kohë deri në fund të gushtit. Rasti Woltemade është ende i hapur. E konsideroj një lojtar shumë, shumë të mirë, që do të ishte perfekt për ne, dhe do të isha shumë i kënaqur nëse do të realizohej këtë vit. Nëse jo, ndoshta vitin tjetër.”