Zyrtare/ Jamie Gittens bashkohet me Chelsea-n: Është një ndjesi e jashtëzakonshme!
Chelsea ka konfirmuar zyrtarisht afrimin e talentit anglez, Jamie Gittens, nga Borussia Dortmundi. 20-vjeçari, që ka qenë pjesë e Anglisë U-21, është transferuar për një shumë të raportuar rreth 64 milionë euro, shifër e ngjashme me atë që “Blutë” paguan për Christian Pulisic në vitin 2019.
Gittens ka firmosur një kontratë 7-vjeçare me klubin londinez, që do ta mbajë të lidhur me Chelsea-n deri në verën e vitit 2032, praktikë tashmë e zakonshme që nga ardhja e pronarit Todd Boehly.
Edhe pse ishte i pranishëm në Filadelfia për fitoren çerekfinale të Chelsea-t ndaj Palmeiras, Gittens nuk do të jetë në dispozicion për pjesën e mbetur të Kupës së Botës për Klube, pasi është i pezulluar për këtë kompeticion, duke qenë se më parë ishte pjesë e Dortmundit, një tjetër skuadër pjesëmarrëse.
Trajneri Enzo Maresca konfirmoi se Gittens u stërvit me skuadrën më 5 korrik, por pritet të largohet së shpejti për një pushim të shkurtër para nisjes së fazës përgatitore.
I lindur në Londër dhe ish-pjesë e akademisë së Chelsea-t, Gittens u bashkua me Borussia Dortmundin në vitin 2020 nga akademia e Manchester City-t. Gjatë periudhës së tij në Gjermani, ai zhvilloi 107 ndeshje, duke shënuar 17 gola dhe dhënë 14 asistime për "die Schwarz-Gelben".
“Është një ndjesi fantastike,” u shpreh Gittens në komunikatën e klubit. “Është një emocion i madh të vish në një klub kaq të madh si Chelsea. Mezi pres të mësoj nga të gjithë në skuadër dhe të jap maksimumin tim. Është një ndjesi e jashtëzakonshme.”