SYRI TV/ Edi Rama kërcënon biznesin me burg, zëvendëson Veliajn edhe në terren
Kryeministri Edi Rama kërcënon biznesin e vogël me ndjekje penale e burg. Në vend të masave për formalizim dhe rregullim të këtij sektori, që sipas INSTAT është sektori që po mban gjallë ekonominë dhe me numrin më të lartë të punësimeve, Rama ka nxjerrë kamxhikun e pushtetit duke i kërcënuar. Me anë të një postimi në rrjete sociale, Rama ka paralajmëruar se kushdo që nuk heq tendat dhe barrikadat nga trotuaret do të përballet me gjoba e ndjekje penale. Me këtë aksion, në kurriz të qytetarëve, kryeministri ka rikonfirmuar emërimin në krye të Bashkisë së Tiranës, për t’i faturuar Erion Veliajt, problemet e deritanishme.
SYRI TV
Në 12 vitet e qeverisjes së Edi Ramës, ekonomia shqiptare është zhytur në krizë, duke e kthyer vendin një fushë ku lulëzojnë kullat e pastrimit të parave, ndërsa buxheti familjar e bizneset e vogla sipas të gjitha raporteve të INSTAT e EUROSTAT, po vijojnë të thellojnë krizën. Veç problemeve të parave të pista, një nga arsyet është mungesa e vizionit dhe luhatjet emocionale të kryeministrit, për ekonominë, që herë pas here ndërmerr aksione për përndjekje të sipërmarrësve me gjoba, e madje duke i treguar edhe burgun me ndjekje penale.
Kamxhikun e pushtetit, prej dy ditësh kryeministri ka nisur ta adresojë ndaj bizneseve të vogla apo të vetëpunësuarve, që kanë ndërmarrë iniciativë për hapjen e një biznesi shërbimi, madje duke paguar edhe taksa, për atë që kryeministri e cilëson “tokë e xanun”.
Në 12 vite, e deri para zgjedhjeve të 11 majit, për kryeministrin ata ishin qytetarë e taksapagues shembullorë pasi kanë punësuar mijëra persona, por pas zgjedhjeve, po cilësohen si zaptues, duke i paralajmëruar me përndjekje, që do të pasojë me mijëra vende pune të shkurtuara e mijëra të tjerë që do të gjejnë zgjidhje të largimit nga vendi. Sot me anë të një statusi, kryeministri Edi Rama, publikoi pamjet e një bari në zonën e 21 Dhjetorit në Tiranë, duke e etiketuar si zaptues.
Situatë klasike “tokë të xanun” në Tiranë, te 21 Dhjetori - kush nuk do t’i tërheqë vetë nga hapësira publike e përbashkët barrikadat që u ka ngritur njerëzve me gjithëfarësoj objektesh, që nga tavolinat dhe frigoriferët në trotuarë e deri te muret apo trarët e “doganave” rreth pallateve, do të ballafaqohet jo vetëm me gjobat përkatëse po edhe me ndjekjet përkatëse penale për shkatërrim të pronës publike, cenim të shëndetit e sigurisë fizike së qytetarëve dhe me radhë…
Në vend të formalizimit dhe rregullimit të një sektori, ku abuzuesit kanë shkaktuar probleme nga tolerimi ndër vitet e qeverisjes së tij, kryeministri tregon gjobat e burgun, duke paralajmëruar një goditje të radhës ndaj ekonomisë. Si për ironi të kryeministrit, në fotot e publikuara nga vetë ai, duken dy të rinj, që janë punësuar në këto biznese, që me goditjen që paralajmëron, do t’i nxjerrë të papunë, si mijëra të rinj të tjerë, që kanë zgjedhur të punojnë në shërbim, në vend të largimit nga vendi.
Gjithashtu nga të dhënat më të fundit të publikuara nga INSTAT, në varësi të kryeministrit Rama, ekonomia shqiptare ka marrë një orientim, me rënie drastike të Bujqësisë dhe Industrisë, e sot ekonomia po mbahet pikërisht nga shërbimet, që kryeministri sot i paralajmëron me gjoba e burg.
Në raportin final për vitin 2023 dhe pjesërisht për vitin 2024, të INSTAT, struktura e Prodhimit të Brendshëm Bruto tregon se gati 48.7 për qind e të ardhurave i përkasin sektorit të Shërbimeve. Lëvizje ekonomike kjo e imponuar nga asfiksimi i sektorëve jetikë të ekonomisë, për shkak të mungesës së politikave mbështetëse. Ndërsa qytetarët dhe biznesi ka zgjedhur shërbimin si zgjidhje mbijetese, kryeministri Rama paralajmëron goditjen e radhës, në vend të masave rregullimi dhe mbështetje.