Çfarë zbuloi për Izraelin vdekja e studentes sime arabe

Nga Fania Oz-Salzberger - WSJ/

Natën e 13 qershorit, Izraeli ndërmori një sulm të befasishëm ndaj objekteve bërthamore dhe ushtarake iraniane. Irani u kundërpërgjigj duke lëshuar qindra raketa balistike drejt Izraelit, shumë prej të cilave shënjestruan objektiva civile. Sistemet mbrojtëse izraelite zmbrapsën pjesërisht breshërinë, por shumë raketa arritën të godasin sërish, duke dëmtuar banesa dhe vrarë 24 civilë. Njëra nga viktimat ishte studentja ime Shada Khatib, një palestinezo-izraelite 20-vjeçare e zgjuar dhe e talentuar. Ajo vdiq me 15 qershor, së bashku me motrën e saj 13-vjeçare Hala, nënën e tyre Manar dhe hallën Manal, në qytetin arab të Tamras në veri të Izraelit.

Vitin e kaluar, Shada ndoqi lëndën time për historinë e mendimit politik, që është lëndë e detyrueshme për studentët e juridikut në Universitetin e Haifës. Kishte aplikuar të punonte si asistente mësimore vitin tjetër dhe këtë javë duhej ta intervistoja. “Ishte më e reja nga studentët dhe një nga figurat më të spikatura,” më tha këshilltarja e saj akademike, avokatja e të drejtave të njeriut Abeer Baker, në një mesazh privat. “Me buzëqeshjen, butësinë dhe guximin e pafund për të marrë pjesë në diskutime, pavarësisht të gjitha sfidave me të cilat përballen studentët palestinezë në universitetet izraelite.”

Shada ishte një studente e shkëlqyer në studion ligjore për të drejtat e njeriut në fakultetin e juridikut, e cila ka ndjekur dhjetëra çështje gjyqësore në mbrojtje të shtresave të margjinalizuara, me sukses të dukshëm në rastet për të drejtën për strehim dhe për arsimimin e azilkërkuesve. Një tjetër profesor i saj, Itamar Mann, shkroi në Facebook se “Shada më habiti me përgjigjet e saj të qarta dhe të shpejta, aq sa me buzëqeshje e pyeta nëse donte të më zëvendësonte mua si pedagog. Përgjigjja e saj e menjëhershme: ‘Po, ndoshta pas disa vitesh.’” Postimi i tij përkujtimor u bë viral.

Dhimbja për vdekjen e Shadës është ndjerë shumë më larg se Tamra dhe Universiteti i Haifës. Në varrimin e familjes Khatib morën pjesë qindra njerëz, hebrej dhe arabë, fqinjë dhe akademikë, juristë dhe aktivistë politikë. Nëna e Shadës, Manar, ishte mësuese; babai i saj i mbetur i ve, Raja, është një jurist i njohur i pasurive të paluajtshme në veri të Izraelit dhe nënkryetar i Shoqatës së Avokatëve të Rrethit të Haifës. Vëllai i Rajas, Ihab, i cili humbi gruan e tij Manal nga e njëjta raketë iraniane, është anëtar i komisionit të etikës së Shoqatës së Avokatëve.

Pak njerëz jashtë Izraelit janë të vetëdijshëm për ekzistencën e një klase të mesme arabe në lulëzim, veçanërisht në Haifa dhe Galile. Në Universitetin e Haifës, rreth 40% e studentëve janë shtetas arabo-izraelitë, ose palestinezo-izraelitë, siç preferojnë të identifikohen shumë prej tyre. Në fakultetin e juridikut ku jap mësim, rreth 25% e studentëve i përkasin pakicave arabe dhe druze, dhe mbi 50% e tyre janë gra. Rektorja e universitetit, neurobiologia Mouna Maroun, është gruaja e parë arabe që emërohet rektore e një universiteti izraelit.

Prej vitesh, izraelitët liberalë si unë janë ndjerë krenarë për këto shenja të rritjes së barazisë mes hebrenjve dhe arabëve. Por vdekja e Shada Khatibit kujton edhe sa shumë pabarazi mbetet ende. Shtëpia e familjes Khatib kishte një dhomë të sigurt funksionale, por katër viktimat nuk arritën ta arrinin në kohë. Ndërkohë, Tamra, si shumë zona të banuara me arabë në Izrael, nuk ka pothuajse fare strehime të financuara nga shteti për rastet e sulmeve ajrore. Sipas një raporti të fundit nga Instituti i Demokracisë në Izrael, 46% e popullsisë arabe në vend jeton në ndërtesa që nuk kanë strehimore të certifikuara për sulme ajrore, në krahasim me 26% të popullsisë në tërësi.

Sulmi gjithashtu nxori në pah një valë të egër racizmi kundër qytetarëve arabë, që ka shpërthyer mes një pakice të zhurmshme izraelitësh që nga masakra e 7 tetorit, lufta Izrael-Hamas dhe ajo Izrael-Iran. Pak pas goditjes së raketës në Tamra, u postua një video anonime në rrjetet sociale që tregonte djem të rinj hebrenj duke festuar. Ata kërcenin dhe këndonin “U djegtë fshati juaj!”, një këngë e një DJ-i të quajtur Yehuda Mor, që është kthyer në një himn të ekstremit të djathtë dhe tifozëve të klubit të futbollit Beitar Jerusalem. Kënga u shkrua fillimisht për të provokuar një ekip arab futbolli rival: “Dëgjoni mirë, ju arabë, ne nuk bëjmë pajtime, u djegtë fshati juaj!” Kohët e fundit, kjo këngë është drejtuar jo vetëm kundër palestinezëve, por edhe kundër hebrenjve liberalë dhe të majtë, përfshirë protestuesit që kërkojnë lirimin e pengjeve izraelite dhe përfundimin e luftës në Gaza.

Normalizimi i gjuhës së urrejtjes nuk është thjesht pasojë e traumës kolektive izraelite. Ajo ushqehet dhe nxitet nga disa ministra dhe deputetë të qeverisë që shprehin hapur racizëm, veçanërisht Bezalel Smotrich, Itamar Ben-Gvir dhe Almog Cohen. Ky i fundit, për shembull, ka thënë për deputetët arabë se “nuk janë as të denjë për të qenë dele, nuk janë njerëz.”

Për shumicën e banorëve të Haifës dhe izraelitëve liberalë, vrasja e Shadës dhe familjarëve të saj është një tragjedi private brenda një katastrofe publike. Kryeministri Benjamin Netanyahu sulmoi objektet bërthamore dhe ushtarake të Iranit për të mbrojtur vendin, dhe me të drejtë, sipas mendimit tim. Por qeveria aktuale izraelite ka dështuar në shumë mënyra për të mbrojtur qytetarët e saj, si hebrenj ashtu edhe arabë.

Dështimi më i madh, natyrisht, ishte sulmi i papritur nga Hamasi. Një tjetër është ngritja e aktorëve politikë anti-arabë dhe anti-liberalë, të cilët sot kanë fuqi të jashtëzakonshme legjislative dhe ndikim në media. Qeveria Netanyahu po përpiqet prej më shumë se dy vitesh të kufizojë autoritetin e Gjykatës së Lartë të Izraelit, e cila është e përkushtuar për mbrojtjen e të drejtave të pakicave.

Këtë javë, një komision i Knessetit votoi për përjashtimin e Ayman Odeh, një politikan veteran arabo-izraelit, nga parlamenti, për shkak të deklaratave të tij publike, përfshirë frazën “Gaza ka fituar, dhe Gaza do të fitojë.” Sado të padëshirueshme për veshët e hebrenjve izraelitë, deklaratat e tij janë plotësisht brenda kufijve ligjorë të lirisë së shprehjes.

Odeh ka qenë gjithmonë shumë kritik ndaj politikave izraelite, por gjithashtu i përkushtuar ndaj shtetit ligjor. Ai vetë është avokat i lindur në Haifa, nga e njëjta shtresë shoqërore si familja Khatib. Shumica e qeverisë në Knesset do të thotë se masa kundër tij do të kalojë, por Gjykata e Lartë ka të ngjarë ta bllokojë. Po të ishte gjallë Shada, do ta ndiqte këtë proces me zemërim, dhe, dua të besoj, me pak shpresë.

Familja Khatib u vra nga Irani, dhe përfaqëson të kundërtën e regjimit të ajatollahëve. Ata janë demokratë, të moderuar, partnerë të domosdoshëm në çdo shoqëri të ardhshme izraelite që mund të lindë nga rrënojat dhe tymi i sotëm. Në një intervistë për Associated Press, Raja Khatib tha se besonte se tragjedia e familjes së tij tregoi se hebrenjtë dhe arabët “kanë një të ardhme të përbashkët. Duhet të kuptojmë se kemi një fat të përbashkët.”

Hebrenjtë e moderuar sionistë si unë mund të kemi mospajtime politike me arabët izraelitë si familja Khatib, por do të preferoja shumë më tepër t’i kisha fqinjë dhe bashkëqytetarë sesa shumë hebrenj ultranacionalistë izraelitë. Qoftë i paharruar kujtimi i Shadës dhe i anëtarëve të tjerë të familjes së saj.

/Fania Oz-Salzberger është profesore emerita në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Haifës dhe bashkautore, së bashku me Amos Ozin, e librit “Jews and Words.”/