SYRI TV/ Plazhe pa siguri në Lezhë - Mungojnë kullat e vrojtimit, pushuesit: Ndihemi të pasigurt!
Dhe pse sezoni turistik ka nisur prej kohësh, problematikat dhe këtë vit janë të shumta. Në bregdetin e Lezhës, kullat e vrojtimit janë vetëm si objekte, pasi në to nuk ka vrojtues plazhi. Pushuesit shprehen të shqetësuar dhe të pasigurt, ndërsa bëjnë apel institucioneve që të marrin masa sa më shpejt.
Syri TV
Teksa kemi hyrë në muajin korrik dhe numri i pushuesve në bregdetin e Lezhës është në rritje të vazhdueshme, siguria në plazhe vijon të mbetet shqetësim. Nga një vëzhgim në zonën bregdetare të Shëngjinit, vihet re mungesa e kullave të vrojtimit, ndërsa edhe ato të pakta që ndodhen janë bosh, pasi mungojnë vrojtuesit.
Pushuesit shprehen të shqetësuar për këtë situatë, duke theksuar se ndihen të pasigurt gjatë qëndrimit në plazh, veçanërisht kur fëmijët ose të moshuarit hyjnë në det. Ata bëjnë apel për më shumë vëmendje nga autoritetet vendore dhe institucionet përgjegjëse për garantimin e sigurisë në zonat turistike.
Mungesa e vrojtuesve të plazhit është një problematikë e vazhdueshme në çdo sezon veror, ndërsa nuk kanë munguar rastet e personave të cilët janë mbytur në det, pasi ka munguar ndihma e parë.