Rama zë vendin e Veliajt dhe nis demaskimin: 'Toka të xanun' në zemër të Tiranës
Që prej burgosjes, ose më saktë që kur u bind se e futi Rama brenda, Erion Veliaj poston thuajse çdo ditë punët e tij në Tiranë dhe kujdeset që të evidentojë se, e kam bërë unë, pasi pre 30 vitesh ishte kështu e ashtu.
Më e fundit ka qenë kinemaja “Maks Velo” në Laprakë, ku Veliaj përpiqej të theksonte se ajo ishte në gjendje të mjerusheme si kur ishte Rama kryetar, si kur ishte Basha.
Mirëpo që prej shkurtit të këtij viti, kur paketoi Lali Erin për në qelinë e Durrësit Rama është de facto kryetar i Tiranës. Hoqi të gjithë njerëzit e besuar të Veliajt përmes Anuela Ristanit dhe dje e bëri bashkinë pjesë të ekzekutivit duke u thënë ministrave se do jenë edhe drejtorë të bashkisë.
Menjëherë pas kësaj lëshoi një sinjal se Tirana nën Veliajn është kthyer në kaos. Sot përmes një postimi në X ka treguar një segment rruge te 21-Dhjetori të disa bizneseve që kanë zënë hapsirat e trotuarëve, duke nënkuptuar kështu se kaosi që shohim në kryeqytet është për faj të Veliajt.
E gjithë kjo luftë mes dy njerëzve që e kanë shkatërruar kryeqytetin për përfitime personale zhvillohet nën pritjen e Veliajt të vendimit të Gjykatës së Lartë, ku ka kërkuar lirimin me kusht dhe vendosmërisë së Ramës për zhdukur çdo gjurmë të ish-beniaminit të tij të dikurshëm nga Rilindja dhe bashkia e Tiranës - betejë e cila zhvillohet e tëra në kurriz të qytetarëve të Tiranës.
Postimi i Ramës:
Situatë klasike “toke të xanun” në Tiranë, tek 21 Dhjetori - kush nuk do t’i tërheqë vetë nga hapësira publike e përbashkët barrikadat që u ka ngritur njerëzve me gjithëfarësoj objektesh, që nga tavolinat dhe frigoriferët në trotuarë e deri tek muret apo trarët e “doganave” rreth pallateve, do të ballafaqohet jo vetëm me gjobat përkatëse po edhe me ndjekjet përkatëse penale për shkatërrim të pronës publike, cënim të shëndetit e sigurisë fizike së qytetarëve dhe me radhë… Koha për t’u bërë bashkë që të gjithë në emër të bashkëjetesës në të njëjtën lagje; shumica duke marrë mbrapsht atë që i takon dhe pakica duke kthyer mbrapsht atë që nuk i takon!