Zohran Mamdani mbron veten pas zbulimit të NYT-së për deklaratat e dyshimta në aplikimin për universitet

Zohran Mamdani, kandidati demokrat për kryetar të Bashkisë së Nju Jorkut, është identifikuar si “i zi ose afro-amerikan” në aplikimin e tij për Universitetin Columbia në vitin 2009, edhe pse sot thotë se nuk e konsideron veten të tillë, raportoi The New York Times të enjten.

Sipas gazetës, këto të dhëna erdhën nga një bazë e dhënash e brendshme që u publikua pas një sulmi kibernetik që kishte në shënjestër universitetin.

Në atë kohë, Mamdani, ende në shkollë të mesme, kishte zgjedhur gjithashtu kutinë “aziatik” dhe kishte shtuar me dorë “ugandas” në pjesën për origjinën etnike. Megjithatë, nuk u pranua në Columbia, edhe pse babai i tij është profesor atje.

Tani 33 vjeç, Mamdani i tha Times se e konsideron veten “një amerikan i lindur në Afrikë” dhe tha se kishte zgjedhur disa kategori etnike për të pasqyruar “prejardhjen time të ndërlikuar,” jo për të përfituar në procesin e pranimit.

Në atë kohë, Columbia, si shumë universitete elitare, përdorte pranime të ndikuara nga përkatësia racore, praktikë që Gjykata e Lartë e SHBA-së e ndaloi në vitin 2023.

“Edhe pse këto kategori janë kufizuese,” tha Mamdani, “doja që aplikimi im për universitet të pasqyronte kush isha.”

Ai tha se, përveç atyre formularëve të kolegjit, nuk mban mend të jetë identifikuar ndonjëherë si i zi ose afro-amerikan.

Të dy prindërit e tij janë me origjinë indiane. Babai i tij, Mahmood Mamdani, profesor në Columbia, ka jetuar në Afrikën Lindore për breza, por Zohran theksoi se nuk ka pasur ndërthurje familjare me grupet autoktone afrikane.

Në fushatën e tij, Mamdani është mbështetur tek identiteti i tij si aziatik jugor dhe mysliman. Në një fjalim në qershor në organizatën e Al Sharpton, theksoi edhe rrënjët afrikane: “Kam lindur në Kampala, Uganda… emrin e dytë, Kwame, ma dha babai, në nder të kryeministrit të parë të Ganës.”

Presidenti Donald Trump e përmendi Mamdanin në një miting të mërkurën, duke thënë se nëse ai ndërhyn në ligjet e imigracionit “do të duhet ta arrestojmë.”

“Nuk kemi nevojë për një komunist në këtë vend, por nëse kemi një të tillë, do ta mbikëqyr shumë nga afër në emër të kombit,” shtoi Trump.

Mamdani, një socialist demokrat i vetëdeklaruar, e hodhi poshtë deklaratën, duke akuzuar Trump-in për “një përpjekje për të dërguar një mesazh ndaj çdo banori të Nju Jorkut që nuk pranon të fshihet: nëse flet, do të të vihen pas. Ne nuk do ta pranojmë këtë frikësim.” / Fox News - Syri.net