Pushuesit po i kthejnë shpinën/ Santorini përballet me krizë turistike, çfarë po ndodh?

Aktiviteti sizmik në fillim të këtij viti ka ndikuar dukshëm në turizmin e ishullit Santorini, duke shkaktuar një rënie të ndjeshme të vizitorëve ndërkombëtarë gjatë sezonit veror. Një destinacion tradicionalisht i mbushur me turistë gjatë verës, Santorini po përjeton këtë vit rrugë dhe rrugica të boshatisura, çka krijon një atmosferë të pazakontë për këtë perlë të Egjeut.

Pasiguria nga tërmetet që goditën zonën në muajt e parë të vitit ka shtyrë turistët drejt destinacioneve më të sigurta, duke sjellë një ulje prej 26% në vendet e disponueshme për fluturime drejt ishullit që nga fillimi i vitit. Ndërkohë, sipas Yannis Paraschis, president i Shoqatës së Ndërmarrjeve Turistike Greke, pritet një rënie totale prej 10-15% në numrin e vizitorëve këtë sezon.

Situata është më kritike në nivel lokal, ku presidenti i Shoqatës së Hotelierëve të Santorinit, Antonis Pagoni, raporton një rënie prej 25-30% të vizitave, duke paralajmëruar pasoja të mëdha ekonomike për zinxhirin e turizmit në ishull dhe më gjerë. Santorini tërheq rreth 3 milionë turistë në vit, që përbën 10% të totalit të turizmit grek, dhe një rënie e tillë mund të ndikojë rëndë në të ardhurat kombëtare.

Për të zbutur situatën, hotelierët kanë nisur të ofrojnë zbritje të mëdha, kryesisht për rezervimet e minutës së fundit, duke shpresuar të rikthejnë vizitorët dhe të ruajnë aktivitetin minimal ekonomik. Megjithatë, një shpresë mbetet te anijet turistike që vazhdojnë të ndalojnë në Santorini, edhe pse qëndrimet janë të shkurtra.

Një tjetër sfidë për turizmin e ishullit është kriza globale e kostos së jetesës, që ka bërë që vizitorët të shpenzojnë më pak gjatë qëndrimit, duke ndikuar negativisht në bizneset lokale.

Ndërsa Santorini përpiqet të rimëkëmbet dhe të rifitojë pozicionin e tij si një nga destinacionet më të kërkuara në Mesdhe, sfidat e këtij sezoni tregojnë qartë pasojat e aktivitetit sizmik dhe faktorëve ekonomikë globalë në turizmin e një prej perlave më të çmuara të Greqisë.