20 mijë euro një pasaportë e huaj... Zbulohet laboratori në Tiranë, në pranga babë e bir, njëri nën masë sigurie nga SPAK - VIDEO
Seksioni i Hetimit të Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Prokurorinë, ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Identiteti”, që çoi në zbulimin e një laboratori të sofistikuar për falsifikimin e dokumenteve, me qëllim ndihmën për kalim të paligjshëm të kufirit.
Operacioni u realizua pas një hetimi 7-mujor, i ndjekur me metoda speciale hetimore, dhe çoi në arrestimin e dy shtetasve, babë e bir: Ylli Brahimaj, 65 vjeç, aktualisht me masë sigurie “Arrest në shtëpi” të dhënë nga SPAK, si pjesë e një grupi kriminal për veprimtari të ngjashme, dhe Pjerin Brahimaj, 45 vjeç.
Gjithashtu, është proceduar penalisht shtetasi Sh. L., 62 vjeç, i dyshuar si bashkëpunëtor në këtë aktivitet kriminal.
Gjatë kontrollit të banesës së të arrestuarve, policia zbuloi një ambient të përshtatur posaçërisht si laborator, ku falsifikoheshin dokumente dhe pasaporta të ndryshme.
Dokumentet e sekuestruara përfshijnë pasaporta, karta identiteti dhe materiale të tjera, që dyshohet se përdoreshin për kalime të paligjshme në vendet e Bashkimit Evropian dhe SHBA.
Sipas hetimeve paraprake, çmimi për një pasaportë të falsifikuar me shtetësi të huaj varionte nga 15 000 deri në 20 000 euro, ndërsa dyshohet se rrjeti kriminal ka ndihmuar dhjetëra persona në përpjekje për të emigruar në mënyrë të paligjshme.
Policia dhe Prokuroria janë në ndjekje të personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.