Radhë kilometrike në Qafë Botë – Qytetarët presin me orë të tëra në kufi, shkak vonesat nga pala greke
Radhë të gjata automjetesh dhe pritje disaorëshe janë krijuar në pikën doganore të Qafë Botës, ku qytetarët që udhëtojnë nga Greqia drejt Shqipërisë po përballen me vështirësi. Burimet bëjnë me dije se pritjet shkojnë deri në 3 orë, ndërsa radhët e automjeteve janë shtrirë në disa kilometra, duke shkaktuar pakënaqësi dhe lodhje te udhëtarët.
Shkak për situatën është bërë mungesa e stafit nga pala greke, pas arrestimit të 14 doganierëve grekë të dyshuar për kontrabandë mallrash. Aktualisht, pala greke po operon me vetëm dy sportele dhe tre doganierë në detyrë, çka ka ngadalësuar ndjeshëm përpunimin e dokumenteve dhe kalimin e kufirit.
Nga ana tjetër, pala shqiptare ka vënë në funksion tre sportele, duke punuar me kapacitet të plotë, por ngadalësia në doganën greke ka sjellë bllokime dhe vonesa të ndjeshme në kalimin e kufirit.
Autoritetet shqiptare i bëjnë apel palës greke të marrë masa për normalizimin e situatës dhe parandalimin e përshkallëzimit të vonesave në ditët në vijim, sidomos në kushtet e rritjes së fluksit për shkak të sezonit veror.