Aplikacioni suedez që revolucionarizon mënyrën si familjet ndajnë punët e shtëpisë , 25 mijë përdorues në më pak se një vit

Vetëm dhjetë muaj pas lançimit të tij në shtator të vitit 2024, aplikacioni suedez Accord ka arritur të fitojë mbi 25,000 përdorues në të gjithë Evropën, duke premtuar një zgjidhje për një nga burimet më të zakonshme të konfliktit në familje: punët e shtëpisë.

I konceptuar nga tre studentë në Institutin Mbretëror të Teknologjisë KTH në Stokholm, Accord ndihmon çiftet dhe familjet të ndajnë dhe të gjurmojnë detyrat e përditshme si pastrimi, larja e rrobave apo blerjet e ushqimeve, përmes një liste të përbashkët detyrash që shënohen në kohë reale dhe tregojnë ndarjen e ngarkesës.

“Accord është për familjet që duan më pak stres dhe më shumë harmoni”, tha bashkëthemeluesi Victor Fredrikson për Euronews Next, duke theksuar se aplikacioni synon të trajtojë pabarazitë gjinore në shtëpi, një problem ende i pranishëm në shifra zyrtare: 79% e grave në BE merren çdo ditë me punët e shtëpisë, krahasuar me vetëm 34% të burrave.

Aplikacioni është përkthyer në disa gjuhë, përfshirë anglishten, frëngjishten, suedishten dhe gjermanishten, dhe ofron një pasqyrë vizuale për secilin anëtar të grupit mbi kontributin e dhënë, duke shtuar edhe një sistem pikësh përpjekjeje që mat intensitetin dhe kohën e shpenzuar për çdo detyrë.

Sipas zhvilluesve, përdorimi i aplikacionit ka ndihmuar në uljen me 60% të hendekut gjinor në shpërndarjen e punëve shtëpiake mes përdoruesve, duke përmirësuar ndjeshëm komunikimin dhe atmosferën në familje.

Një nga përdorueset, Lina-Marie Lundqvist, tha se Accord ka transformuar mënyrën si familja e saj bashkëjeton: “Tani të gjithë marrin përgjegjësi. S’jam më unë menaxherja që kujton të tjerët për çdo gjë. Madje një ditë u ktheva nga puna dhe çdo gjë ishte bërë. Ishte një moment ‘aleluja’”.

Krijuesit theksojnë se drejtësia nuk nënkupton ndarjen 50-50 me minuta të sakta, por balancimin emocional dhe fizik të detyrave, në mënyrë që askush të mos ndihet i stërlodhur apo i pavlerësuar.

Për më shumë mbi këtë histori dhe aplikacionin që po ndryshon rutinën e qindra familjeve evropiane, klikoni në videon bashkëngjitur.