Nëna bëhet ventilator për fëmijën në QSUT: Tronditëse pamjet nga Spitali Pediatrik në temperaturat përvëluese mbi 36°C - FOTO

Në Spitalin Pediatrik të QSUT, aty ku duhet të ofrohet kujdes maksimal, një nënë detyrohet të mbajë në dorë ventilatorin portativ për të freskuar fëmijën e saj. Temperaturat e larta, që arrijnë mbi 36 gradë Celsius, dhe mungesa e kushteve elementare për pacientët dhe familjet e tyre nxjerrin në pah dështimin e sistemit shëndetësor shqiptar.

Fotografitë e publikuara në rrjetin e tij social Facebook, gazetari Osman Stafa denoncon kushtet e vështira në një ambient të tejmbushur dhe të paajrosur, ku mungesa e investimeve dhe përkujdesjes për infrastrukturën spitalore kthehet në dhunë ndaj fëmijëve dhe grave që kërkojnë trajtim.

Postimi i plotë i gazetarit Osman Stafa:

Në QSUT, nëna bëhet ventilator për fëmijën e saj

Në një vend ku duhet të kurohemi, ndodh që të vuajmë edhe më shumë. Këto foto janë bërë në Spitalin Pediatrik.

Spitali nuk ofron as më minimalen: freski në temperatura që shkojnë mbi 36°C. Është turp. Është dështim. Është dhunë ndaj fëmijëve tanë dhe grave që rrinë nëpër spitale të tejmbushura, të nxehta dhe të paqëndrueshme.

Ku janë milionat për shëndetësinë? Ku janë investimet për përmirësimin e infrastrukturës spitalore? Nëse një prind detyrohet të mbajë një ventilator portativ në dorë, atëherë sistemi shëndetësor është realisht në koma.

Ky nuk është thjesht një apel. Është një alarm që duhet të zgjojë të gjithë ata që bëjnë politikë me shëndetin, që fotografohen me tapete të kuqe para spitaleve, e në vend të rregullojnë ndonjë punë, merren me fasadë e propagandë.