SYRI TV/ Devijimi i rrugës, banorët e Dukatit në protestë: Duhet të na japin një zgjidhje
Banorët e Dukatit në Vlorë, kanë dalë në protestë për të kundërshtuar devijimin e rrugës, ndërsa shprehen se prej këtij devijimi shumë prej bizneseve do të falimentojnë. Ata theksojnë se kanë mbi 7 muaj që protestojnë, dhe nuk kanë marrë asnjë përgjigje, ndërsa shprehen se protestat do të vazhdojnë deri në gjetjen e një zgjidhje.
Tension janë regjistruar në Dukat pas vendosjes përfundimtare të devijimit të rrugës që lidh fshatin me zonën e tunelit të Llogorasë. Banorët e fshatit kanë dalë pasditen e sotme në protestë, duke kundërshtuar ashpër vendimin që, sipas tyre, i ka izoluar dhe po dëmton rëndë jetën ekonomike te zonës.
Rruga e re, e vendosur jashtë fshatit dhe e lidhur përmes një segmenti të vjetër të rrënuar nga rrëshqitjet e dherave, për banorët përbën rrezik real për qarkullimin.
Protestuesit akuzojnë kompaninë ndërtuese ‘Gjoka Konstruksion’ se ka injoruar kërkesat e përsëritura të komunitetit, ndërsa shigjetojnë edhe kryeplakun e fshatit, Qemal Bodo, dhe administratorin lokal Selim Haskocelaj, duke i akuzuar se ‘janë bërë palë me kompaninë dhe nuk kanë dalë në krah të banorëve’. Banorët paralajmërojnë se protestat do të vazhdojnë çdo ditë.