Kryemadhi flet për kontrollin mendor të Edi Ramës: Me të, të merren mjekët, unë sjam mjeke

Forumet rinore të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Partisë Socialiste, përkatësisht LRI dhe FRESSH, të cilët u janë bashkuar edhe të rinjtë e Internacionales Socialiste po qëndrojnë këto ditë në Jalë. Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka zbuluar disa detaje në një intervistë për ABCNews për atë që ndodh me të rinjtë në kampingun më të madh në vend.

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi, gjatë intervistës është pyetur për kërkesën që bëri LSI gjatë fushatës, për një kontroll të shëndetit mendor të Edi Ramës. Nga kampingu i Jalës ku janë mbledhur forumet rinore të LSI-së dhe PS-së, Kryemadhi i qëndron idesë së saj se me të duhet të merren mjekët.

“Unë nuk jam mjeke, nuk kam studiuar për mjekësi. Ato që janë mjekë kanë të drejtë ta përkufizojnë më mirë” u shpreh kryetarja e LSI, që shtoi se zgjedhja e Edi Ramës për të publikuar një listë të zezë, “nuk ishte aspak normale”.

Ndërsa kur gazetari e pyet se “çfarë bën Monika nëse sheh një të re të LSI, që flirton me një të ri të FRESSH?”, kryetarja e LSI-së thotë se gjasat që diçka e tillë të ndodhë ekzistojnë.

Monika Kryemadhi:

“Tashi flirtimi duket që në shkëlqimin e syve. Unë jam pak konservatore, por jo deri në këtë fazë, sepse shanset janë. Për ne lidhjet politike ne e dimë shumë mirë që nuk janë gjithmonë afatgjata.

Se unë nuk mendoj që ka një të LRI apo FRESSH që nuk do të ketë një jetë më të mirë, të punë të paguar, të sigurtë, arsim më të mirë, shëndetësi më të mirë dhe ambient pa konflikte. Asnjë parti nuk ka dyshime për këto. Unë them se kjo do ishte shumë e mirë se do ç’tensiononte edhe situatën.

Pastaj ne kemi shumë djem dhe vajza të LRI që janë të lidhur me djem dhe vajza të Partisë Socialiste. Që edhe pse në këtë fushatë ka qenë lufta shumë agresive, iu kemi besuar gjëra shumë të rëndësishme”.