Operacion i befasishëm në Fier/ Arrestohen CEO i 'Bankers Petroleum' Hongping Xiao dhe ish-drejtori shqiptar
Një operacion i befasishëm i Policisë së Fierit ka çuar sot në arrestimin e dy drejtuesve të kompanisë së njohur naftënxjerrëse “Bankers Petroleum”. Në pranga kanë rënë CEO aktual me kombësi kineze, Hongping Xiao, si dhe ish-drejtuesi shqiptar i kompanisë, Leonidha Çobo.
Sipas burimeve, forcat e policisë kanë ndërhyrë me forcë në zyrat qëndrore të kompanisë në Patos, duke sekuestruar dokumentacion të ndryshëm financiar. Aksioni është kryer në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe strukturat e hetimit financiar.
Më herët, u raportua për një prani të shtuar të forcave të rendit brenda ambienteve të Bankers, ndërsa automjete të Tatimeve qëndronin në oborrin e kompanisë. Burimet hetimore konfirmojnë se veprimet kanë të bëjnë me një hetim të nisur për evazion fiskal dhe pastrim parash.
Kompania “Bankers Petroleum” është përballur në të kaluarën me akuza të përsëritura nga Drejtoria e Tatimeve për mospagesë të detyrimeve fiskale ndaj shtetit shqiptar, ndërsa akuzohet gjithashtu për ndotje mjedisore në zonën e Patosit, si pasojë e aktivitetit të saj, shpesh pa respektuar standardet ligjore të mjedisit.