SYRI TV/ Fermerët e Kallmit të Madh në faliment, ulja e çmimit të shalqirit humbje për ta

Ulja e çmimit të shalqirit nga tregtarët me shumicë përkthehet në humbje dhe rrezik falimentimi për fermerët në Kallm të Madh të Fierit. Ata shprehen se janë të braktisur nga shteti, i cili jo vetëm që nuk i subvencionon, por as nuk ndërhyn si rregullator në tregun e shitjes.

Fermerët paralajmërojnë se, nëse kjo situatë vijon, do të detyrohen të heqin dorë nga kultivimi dhe tregtimi i bostanit.

Ata po përballen me një krizë të thellë ekonomike, pasi me çmimin aktual të shalqirit nuk arrijnë të mbulojnë as kostot e prodhimit. Sipas tyre, përgjegjës për këtë situatë janë tregtarët vendas dhe ata nga Kosova, të cilët, sipas fermerëve, kanë bërë një “marrëveshje të heshtur” për të ulur artificialisht çmimin e këtij fruti.

Për shkak të fitimeve të ulëta, shumë prej fermerëve kanë nisur të braktisin kultivimin e bostanit.

Ata theksojnë gjithashtu se mungesa e subvencioneve nga qeveria i ka lënë të pambrojtur përballë krizës në tregun bujqësor. Fermerët denoncojnë faktin se ndihmat financiare shpesh përfundojnë në duart e pronarëve të tokave që i kanë lënë me qira, dhe jo te ata që realisht e punojnë tokën çdo ditë.

Fermerët i bëjnë thirrje shtetit për ndërhyrje të menjëhershme dhe për vendosjen e transparencës në tregun bujqësor, duke paralajmëruar se, pas largimit masiv të të rinjve nga fshati, radhën do ta kenë edhe fermerët që nuk shohin më asnjë mundësi për të jetuar nga bujqësia.