SYRI TV/ Elbasan, zjarr masiv në fushën e mbetjeve, flakët disa orë aktive pranë inceneratorit
Qielli mbi qytetin e Elbasanit dhe fshatrave përreth është mbuluar pasditen e së martës nga shtëllunga të dendura tymi kancerogjen. Një zjarr masiv ka përfshirë fushën e grumbullimit të mbetjeve, në zonën e njohur si Landfilli pranë Inceneratorit jofunksional të Elbasanit.
Zjarri është përhapur me shpejtësi në sipërfaqet e mbushura me mbetje të ndryshme urbane dhe industriale duke shkaktuar një katastrofë të tmerrshme mjedisore. Siç e shihni nga pamjet shtëllunga të dendura tymi të zi janë përhapur në drejtim të zonave të banuara të qytetit duke krijuar mbi Elbasan një re të madhe tymi dhe ndotje.
Bashkë me tymin, qytetarët po përballen me një aromë të padurueshme që ka përfshirë një pjesë të mirë të qytetit dhe zonave përreth. Era dhe temperaturat e larta po e përkeqësojnë situatën duke ndihmuar përhapjen e tymit dhe erës helmuese nga djegia e mbeturinave. Forcat zjarrfikëse të Elbasanit dhe disa qyteteve përreth janë në vendngjarje në përpjekje për të lokalizuar vatrën e zjarrit.
Në një intervistë për Syri TV nga landfilli, deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike të Elbasanit Blendi Himci e cilësoi këtë situatë si kronikë e një ngjarje të paralajmëruar teksa shtoi se kjo ngjarje e rëndë vjen pak kohë pasi Bashkia e Elbasanit rriti çmimin për ton të mbetjeve. Ai denoncoi se edhe zjarri që përfshiu landfillin këtë të martë është i qëllimshëm.
Landifilli i Elbasanit është përfshirë nga zjarri edhe në korrik dhe nëntor të vitit të kaluar Pavarësisht se janë paguar miliona euro për ndërtimin e inceneratorit të Elbasanit, duket qartazi që ai nuk funksion. Procesi i ndarjes dhe djegies nuk është kryer, dhe fusha e plehrave është e tejmbushur dhe bashkë me zjarret periodike e kanë kthyer në katastrofë mjedisore permanente për Elbasanin. Kjo fushë mbetjesh është shndërruar në një rrezik serioz për jetën dhe shëndetin e qytetarëve, sidomos për të moshuarit dhe fëmijët.
Teksa prokuroria e Elbasanit ka nisur hetimet për zjarrin që përfshiu landfillin në muajin nëntor të vitit të kaluar, grupi hetimor dyshon se kompania publike, ‘Eco-Elb’, si edhe shoqëria private e kontraktuar për menaxhimin e mbetjeve në landfill, nuk e kanë kryer detyrën e përcaktuar, duke krijuar situata të vështira mjedisore dhe abuzime me fondet publike. Fusha e mbetjeve në Elbasan funksionon vetëm si landfill, pasi inceneratori i djegies së mbeturinave, i cili u kushtoi shqiptarëve mbi 20 milionë euro, nuk ka funksionuar thuajse asnjë ditë.