Mungesa e ujit të pijshëm në mes të temperaturave ekstreme, lë banorët në kushte të vështira jetese
Në një periudhë kur temperaturat kanë thyer rekorde historike, shumë zona të Shqipërisë po përballen me një tjetër krizë: mungesën e ujit në çezma.
Banorët e disa prej këtyre zonave denoncojnë se prej ditësh nuk kanë mundur të sigurojnë ujë për konsum, duke shtuar vështirësitë për jetesën e përditshme.
Kjo krizë e ujit ka sjellë shqetësim të madh, sidomos për ata që jetojnë në zona malore apo në zona të thella rurale, ku shërbimi i ujësjellësit është gjithashtu i paqëndrueshëm.
Mungesa e ujit ka përkeqësuar kushte të jetesës, duke i detyruar qytetarët të përdorin ujë nga burime të pasigurta, çka mund të sjellë pasoja shëndetësore.
Përveç kësaj, qytetarët kërkojnë reagim urgjent nga autoritetet për të adresuar këtë situatë, pasi kjo krizë e ujit i ka lënë ata të pafuqishëm për të përballuar stinën e nxehtë dhe pasojat që ajo sjell.
"Nuk është gjë hiç kështu, po vdesim për ujë. E mori burri në telefon, ‘dua ujë’, ishin bërë dy ditë. Të tretën ditë erdhën, sollën një bot, ikën, erdhën prapë, mbushën vetëm boljerin. Po pse për boljeri kemi nevojë ne në këto temperatura?!- tha një banore e qytetit të Vlorës për Syri Televizion.
Fotoja më poshtë tregon Hartën e Shqipërisë me qytetet kryesore që po përballen me mungesën e ujit. Ndër këto qytete, janë përfshirë disa prej zonave më të prekura nga kriza e ujit, që ka krijuar një situatë alarmante për ata që jetojnë aty.
Kjo situatë ka nxitur thirrje për ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet shtetërore dhe për përmirësimin e shërbimit të ujësjellësit, pasi është e paqartë se kur do të rikthehet normaliteti në furnizimin me ujë në këto zona të prekura.