'Vajta e votova, këta të vdesin për ujë në 2025'/ Banorët e lagjes 'Kushtrimi' thahen në temperatura mbi 40 gradë

Mungesa e ujit të pijshëm vijon të jetë një problem i madh për dhjetëra familje në qytetin e Vlorës.

Në lagjen “Kushtrimi”, mbi 100 familje jetojnë prej ditësh pa furnizim me ujë, ndërsa temperaturat e larta e kanë bërë situatën të padurueshme, sidomos për të moshuarit dhe të sëmurët kronikë.

Banorët shprehen se janë të rregullt në pagesa, por pavarësisht ankesave të shumta pranë ujësjellësit, nuk kanë marrë asnjë zgjidhje konkrete.

"Nuk është gjë hiç kështu, po vdesim për ujë. E mori burri në telefon, ‘dua ujë’, ishin bërë dy ditë. Të tretën ditë erdhën, sollën një bot, ikën, erdhën prapë, mbushën vetëm bojlerin. Po pse vetëm për boljerin kemi ne nevojë?!

Ata tregojnë për përpjekjet e tyre të përditshme për të siguruar ujë, në këtë qytet bregdetar, duke e mbajtur me kova nga poshtë pallatit, ndërsa ndihma e vetme që kanë marrë deri më tani ka qenë një bot uji që, sipas tyre, nuk mjafton as për nevojat minimale.

Deklarata e banores: "Burri ishte keq atë ditë, më morën mua. Vajta e votova, edhe të dy jemi me dializë. Kush do të më sjellë mua ujë? Kam dy djem, njëri është në Greqi, tjetri e kam larg. Tërë ditën punon djali, dhe në darkë më sjell ujin nga poshtë, ma ngjit lart.

Nuk është gjë hiç kështu, po vdesim për ujë. E mori burri në telefon, ‘dua ujë’, ishin bërë dy ditë. Të tretën ditë erdhën, sollën një bot, ikën, erdhën prapë, mbushën vetëm boljerin. Po pse vetëm boljeri kemi nevojë për?!

Mos të kesh ujë në 2025! Ne e paguajmë ujin, jemi të gjithë të rregullt. Mbolla një rresht me domate, u thanë të tëra."

Situata është aq e rëndë, sa disa familje thonë se u janë tharë edhe të mbjellat në kopshte për shkak të mungesës së ujit.

Përballë kësaj krize, banorët ndihen të harruar nga institucionet dhe kërkojnë zgjidhje të menjëhershme.