I lindur më 1989 në Shqipëri
Fëmijët e lindur më 1989 në Shqipëri – vitin kur ra Muri i Berlinit, ngjarje që shënoi në mënyrë spektakolare rrëzimin e komunizmit – përfaqësojnë brezin e vetëm ndër europianët, nga Lisbona në Talin, që ende nuk janë të sigurt nëse zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, tridhjetë e gjashtë vjet më pas, ishin apo jo legjitime.
Një ndjenjë e tillë pasigurie kishte shoqëruar edhe breza të ndryshëm prindërish europianë, të rritur në regjime komuniste, në periudhën kur në vendet e tyre organizoheshin zgjedhjet e para pluraliste. Megjithatë, vit pas viti, nga një proces zgjedhor në tjetrin, polakë dhe çekë, kroatë dhe hungarezë, bullgarë dhe moldavë, kalonin përmes dilemës nëse kishin hyrë vërtet në demokraci. Por me kalimin e kohës, proces pas procesi, rritej besimi se po përmbusheshin – të paktën – standardet themelore të një demokracie zgjedhore.
Fëmijët shqiptarë të lindur më 1989, ende pas tridhjetë e gjashtë vitesh, vijojnë të jetojnë me të njëjtën dilemë që dikur përndiqte prindërit e tyre: a do të jenë ndonjëherë në gjendje të organizojnë zgjedhje vërtet të lira? Ironikisht, për shumë prej këtyre prindërve, bindja kolektive ka mbetur e pandryshuar; se zgjedhjet më të ndershme që ka njohur vendi ishin ato të vitit 1992, të organizuara ende nën hijen e komunizmit dhe nga vetë ish-komunistët.
Shqipëria, që nga ajo periudhë e tranzicionit të hershëm kur komunistët administruan zgjedhjet e para pluraliste, ka njohur vetëm dy raste të rotacionit normal dhe demokratik të pushtetit: zgjedhjet e vitit 2005, kur socialistët kaluan në opozitë, dhe ato të vitit 2013, kur në krye të qeverisë erdhi Edi Rama me një koalicion të gjerë. Këto dy episode mbeten pikat e vetme që mund të shënohen me të madhe në historinë e pluralizmit shqiptar si akte të mirëfillta demokratike – raste kur predispozita e qytetarëve për të ndryshuar qeverinë as nuk u ble, as nuk u deformua përmes mjeteve të tjera kriminale.
Brezi që lindi njëkohësisht me rrëzimin e Murit të Berlinit, ndryshe nga bashkëmoshatarët e tyre europianë, ka përjetuar ndryshimin e pushtetit në mënyrë të rregullt e demokratike vetëm në këto dy raste. Kjo është një shenjë dalluese jo vetëm e mungesës së një demokracie të konsoliduar, por edhe e pafuqisë së këtij brezi – dhe e prindërve të tyre – për ta mbrojtur atë. Frika nga shitblerja e votës është bërë për ta një realitet i përhershëm.
Damka e zgjedhjeve shqiptare – dhe me shumë gjasa ajo që do të vazhdojë ta shoqërojë – është fenomeni i shitblerjes së votës. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për të ardhmen e Partisë Demokratike, por për vetë të ardhmen e demokracisë në Shqipëri. Mekanizmi i shitblerjes nuk lejon dhe nuk do të lejojë asnjë alternativë të marrë frymë, nëse nuk çmontohet.
Shpresat janë që partnerët amerikanë dhe europianë do të ndalojnë, më herët apo më vonë, tek kjo gangrenë e tmerrshme që po gërryen zgjedhjet shqiptare. Është padyshim në të mirë të Shqipërisë. Por për vite me radhë, dikush ka zgjedhur të mbyllë një sy – ose të dy. Kjo nuk mund të zgjasë pafundësisht. As Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe as Europa nuk do të tolerojnë, në perspektivën e afërt, një qeveri që ka instaluar një fenomen të shëmtuar, fyes për çdo qytetërim: blerjen, dhunimin dhe rrethimin e votës me paratë e drogës dhe të korrupsionit, duke shfrytëzuar varfërinë që vetë ka prodhuar.
Sot, dilema nuk mund të jetë më aq abstrakte sa mendohej dikur. Kryeministri Edi Rama, me mandatin e tij të katërt, nuk fitoi vetëm të drejtën për të qeverisur vendin, por edhe – në mënyrë tashmë thuajse tradicionale për Ballkanin Perëndimor – të drejtën për ta shpërfillur opozitën. Por nga ky moment, paqartësia më e madhe nuk lidhet më me qeverinë, por me vetë opozitën: si do të jetë ajo, kush do ta udhëheqë dhe çfarë rrëfimi do të prodhojë?
Kritikët flasin për domosdoshmërinë e një ndryshimi të menjëhershëm, duke filluar që nga kreu, duke iu referuar logjikës së njohur popullore se “peshku qelbet nga koka e jo nga bishti”. Ajo që është e qartë, nëse opozita do ta marrë seriozisht këtë kritikë, është se e vetmja opozitë ndaj Edi Ramës në të ardhmen do të jetë vetë Edi Rama. Vendi, në një masë të madhe, do të varet nga ajo çfarë do të thotë “opozitari Rama” për vendimet e “kryeministrit Rama”. Ky i fundit do të detyrohet të jetë, njëkohësisht, edhe prokuror, edhe avokat mbrojtës, edhe gjykatës i veprimeve të veta – dhe në mbrëmje, do detyrohet të shndërrohet në shpërndarës batutash në debatet televizive.
Ligjërimi i kryeministrit Rama, në vend që të synojë bashkëpunim institucional me opozitën, ka shfaqur shpesh tone tensioni dhe përjashtimi. Megjithatë, historia politike shqiptare tregon se sa herë është dashur të gjendet një gjuhë e përbashkët – qoftë për interesa publike, qoftë për qëllime të caktuara politike apo edhe personale – palët kanë ditur të shkrijojnë akujt dhe të ulen, thuajse si me magji, në tryezat e bisedimeve. Dhe në shumë raste, janë arritur zgjidhje – pikërisht ashtu siç i kanë kërkuar vetë.
Problemi sot qëndron në faktin se nuk dihet me siguri nëse opozita me të cilën kryeministri ka komunikuar sot, do të jetë e njëjta opozitë edhe nesër. Edi Rama po vihet para një situate konkrete, ku mund të ndodhë që të formësohet një opozitë e re ndaj tij. Pyetja që shtrohet është: a mundet dhe, nëse po, si mund të kontribuojë ai në formësimin e saj? A ka hapësirë për një skenar ku, si në ndonjë fabul të La Fontenit, t’i kërkohet dhelprës dhe gjelit të mbyllur në një kotec, të gjejnë një gjuhë të përbashkët për bashkëjetesë në rendin “natyror” të gjërave?
Kritikët e Partisë Demokratike dhe një pjesë e analistëve në media po përpiqen të na bindin se po, kjo është e mundur. Ata besojnë se një riformësim i opozitës është jo vetëm i nevojshëm, por edhe i pashmangshëm. Por në realitetin politik shqiptar, çdo “e mundur” mbetet gjithmonë në provë.