SYRI TV/ Emigrimi boshatis tregun e gjësë së gjallë në Kukës
SYRI TV
Emigrimi masiv dhe ulja e fuqisë punëtore për të mbarështuar bagëti, ka bërë që tregu i gjësë së gjallë në Kukës të boshatiset tërësisht. Sipas fermerëve dhe banorëve të zonës, shkak i kësaj situate është bërë largimi i njerëzve drejt emigrimit si dhe mungesa e mbështetjes nga shteti për bujqësinë dhe blegtorinë
Tregu i gjësë së gjallë në Kukës, dikur një nga më të gjallët në verilindje të vendit, sot paraqitet thuajse i zbrazët. Në këtë hapësirë, ku dikur gumëzhinin fermerët me bagëti të shumta, tani shihen vetëm pak lopë dhe shumë pak njerëz. Zbrazja e tregut nuk lidhet vetëm me ndalimin e tregtimit të kafshëve të imta për shkak të murtajës së përhapur në rajon. Banorët dhe fermerët thonë se rrënja e vërtetë e problemit është emigrimi masiv.
Me mungesën e krahut të punës dhe interesit në rënie për blegtorinë, shumë familje kanë ulur ndjeshëm numrin e kafshëve ose i kanë shitur ato krejtësisht. Aktualisht në treg lejohen vetëm lopët, ndërsa shitja e të imtave – dhenve dhe dhive – është ndaluar përkohësisht për arsye sanitare.
Qarku Kukës numëron rreth 45 mijë dhenë e dhi, por fermerët thonë se nëse situata vijon me këtë ritëm, edhe ky numër do të bjerë ndjeshëm. Në mungesë të politikave mbështetëse dhe investimeve në zonat rurale, blegtoria në Kukës, një traditë e hershme e banorëve të zonës, rrezikon të mbetet vetëm kujtim.