'Plakja e popullsisë është alarmante'/ Nishani: Emigracioni i pakontrolluar po zbraz Shqipërinë
Ersi Nishani, mjek në Gjermani dhe anëtar i nismës “Brain Gain”, gjatë një interviste në emisionin “Kafe Shqeto” në SYRI TV, u shpreh se fenomeni i plakjes së popullsisë në Shqipëri është tepër i dukshëm.
“Duket sikur kthehemi në Shqipëri vetëm për pushime dhe nuk njohim më askënd, sepse të gjithë miqtë janë larguar dhe jetojnë në vende të tjera të Bashkimit Evropian apo SHBA-së,” tha ai.
Sipas Nishanit, kjo është një prirje globale, por në Shqipëri po ndodh në mënyrë të pakontrolluar për shkak të viteve të gjata të tranzicionit. Ai paralajmëroi se pasojat e kësaj tendence do të jenë gjithashtu të pakontrolluara dhe të pashmangshme në të ardhmen.
Duke përmendur përvojën në Gjermani, mjeku u ndal edhe te sfidat që lidhen me integrimin e emigrantëve.
“Gjermania ka një problem shumë të madh me emigrantët e huaj nga vendet arabe apo Lindja e Largët. Edhe Shqipëria do të përballet me këtë sfidë në të ardhmen, sepse do të ketë nevojë për fuqi punëtore,” tha ai.
Nishani ngriti gjithashtu pyetjen nëse shoqëria shqiptare do të jetë gati të pranojë emigrantë nga vende si Indonezia apo Filipinet. “Me ritmet që po largohet popullsia nga Shqipëria, kjo do të jetë një realitet i pashmangshëm,”
Nishani:
Në Shqipëri është shumë e dukshme plakja e popullsisë, duket se kthehemi në Shqipëri për të bërë pushime dhe s’njohim më njeri se të gjithë miqtë janë larguar dhe jetojnë në vende të tjera të Bashkimit Evropian kryesisht apo edhe SHBA.
Është një trend, le të themi, që është për shkak të globalizimit, por që në Shqipëri, siç do gjë tjetër, në këto vite të tranzicionit po ecën në mënyrë të pakontrolluar dhe gjithë ato pasojat që do sjellë, do vijnë në mënyrë po të pakontrolluar.
Gjermania ka një problem shumë të madh me emigrantët e huaj, nga vendet arabe kryesisht apo edhe nga vendet e Lindjes së Largët, edhe në Shqipëri do vijë një moment që këta njerëz do të duhen për forcë punëtore. Nuk e di sesa shoqëria shqiptare do të jetë e gatshme t’i pranojë njerëzit nga Indonezia apo Filipina që të fillojnë të bashkëjetojnë me ne, por me këto ritme që po largohet popullsia nga Shqipëria do të jetë një e vërtetë e pashmangshme.