Ndotja e Vjosës/ Pamje shokuese nga ‘lumi i egër’ i Evropës, nafta 'po vret' biosistemin
Pas fitores së betejëes jo vetëm brenda vendit, por edhe më gjerë në atë ndërkombëtare, për ta shpallur Vjonës, ‘Park Kombëtar’, tanimë lind nevoja për një tjetër sfidë.
Ndotja e lumit të fundit të egër në Evropë, Vjosës me hidrokarbure, ka ngritur shqetësimin dhe alarmin për ndikimin jo vetëm mbi lum, por edhe për faunën e florën e parkut kombëtar.
Organizatat mjedisore, por edhe vetë ambientalistët, kryesisht edhe të huaj, ‘po bërtasin’ me të madhe, mbi masakrën mjedisore që po ndodh me lumin Vjosa.
'Kjo është baltë, e trashë si katrani. Trashësia këtu arrin rreth 10 centimetra dhe me shumë gjasë është edhe më e madhe më tej. Nuk guxoj të shkoj më afër, sepse ekziston rreziku të mos mund të dal më prej andej. Pamja që kemi përpara na shtyn të reflektojmë thellë. Ndodhemi pranë një degëzimi që derdhet në lumin Vjosë. Por kjo që shohim nuk është më ujë – është naftë e papërpunuar. Kjo është një katastrofë mjedisore. Kafshët e ngordhura gjenden të shpërndara në sipërfaqe. Një gjarpër kishte tentuar të notonte nëpër naftë dhe kishte ngordhur. Do të hyj tani për ta dokumentuar nga afër. Është hera e parë që e bëj këtë dhe ndiej një lloj pasigurie. Është shumë ngjitëse dhe temperatura është tepër e lartë. Nuk jam i sigurt nëse do të funksionojë, Por po përpiqem të dal përsëri. E di çfarë është – nuk është helmuese, por... Imagjinoni vetëm sa shumë kafshë të tjera mund të jenë ngordhur në këtë ndotje. Për mua, kjo është një nga pamjet më tronditëse që kam parë ndonjëherë pranë një lumi.
Kam qenë pranë shumë lumenjve, madje dhe brenda tyre, por ndotje kaq ekstreme dhe kaq e dukshme, që ende ndodh në ditët e sotme, është e papranueshme. Kjo më bën të pyes: Çfarë mendojnë banorët që jetojnë këtu? Si është e mundur që institucionet nuk ndërhyjnë menjëherë? Sepse kjo nuk është një zbulim i ri. Shtatë vite më parë u identifikua për herë të parë ndotja me naftë në rrjedhën e poshtme të Vjosës. U publikuan artikuj në media, të cilët e lidhën ndotjen me fushat e naftës, që ndodhen rreth një kilometër më në veri. Por nuk u mor asnjë masë. Jam i bindur se situata është përkeqësuar. Mjafton të shihni me sytë tuaj – është tronditëse", shprehet ambientalisti.
Lumenj të vegjël që derdhen në Vjosë, po e rrezikojnë shumë këtë të fundit, ku së bashku me lyumenjtë përziehet edhe derdhja e mbetjeve hidrokarbure.
Pamje të publikuara nga faqja zyrtare ‘Blue Heart Rivers’ në Instagram apo edhe ambientalistë të huaj, tregojnë për një situatë dramatike, me naftë dhe mbetje industriale që derdhen në ujërat e lumit Vjosa, duke e shndërruar zonën në një pikë të zezë ndotjeje.
‘Kanë kaluar më shumë se dy vjet që kur lumi Vjosa në Shqipëri u shpall Parku i parë Kombëtar i Lumit të Egër në Evropë - një fitore e paparë për natyrën. Megjithatë, gjatë TETË viteve të fundit, ndotja toksike nga një degë e lumit, e ushqyer nga puset dhe tubacionet e naftës që po kalben, ka derdhur në Vjosë’, thuhet në faqen zyrtare të ‘Blue Heart Rivers’.
‘Askush nuk ka marrë përgjegjësi. Dhe ky është vetëm një nga shumë kërcënimet me të cilat përballet ende parku.
Një Park Kombëtar i Lumit të Egër duhet të jetë më shumë sesa një titull. Ai duhet të mbrohet - në çdo kthesë, breg dhe degë’, citohet në denoncimin e ‘Blue Heart Rivers’.
Denoncimi vjen në një kohë kur qeveria shqiptare po përgatitet të aplikojë për përfshirjen e Vjosës në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, si pjesë e programit “Njeriu dhe biosfera”. Vetëm dy javë më parë, ministrja Mirela Kumbaro dhe kryeministri Rama e përshkruan këtë nismë si një moment krenarie kombëtare. Por, ndotja e fundit mund të vërë seriozisht në pikëpyetje këtë status të shumëpritur.
Organizata “Blue Heart Rivers” i bën thirrje qeverisë shqiptare të kalojë nga fjalët në vepra dhe të marrë masa urgjente për ndalimin e ndotjes, mbylljen e impianteve dhe pastrimin e zonës. “Ta mbajmë Vjosën të egër, jo të mbuluar nga nafta,” përfundon reagimi i tyre.