Alarm për sigurinë ja cilat shtete po mbyllin derën për monopatinat

Monopatinat elektrike, dikur simbol i inovacionit ekologjik në qytete, po përballen me ndalime dhe kufizime të forta në shumë vende të botës. Nga Evropa në Azi e deri në Australi, autoritetet po i vënë frenat këtij mjeti të lëvizjes së shpejtë, duke vendosur sigurinë publike përpara rehatisë dhe teknologjisë.

Nga Parisi në Maltë, nga Melburni në Singapor, një valë ndalimesh ka prekur monopatinat me qira, ndërsa rregulloret për përdorimin privat janë ashpërsuar ndjeshëm.

Në Paris, që nga 1 Shtatori 2023, monopatinat me qira janë të ndaluara. Ky vendim erdhi si rezultat i një referendumi qytetar, ku 90% e votuesve u shprehën kundër lejimit të tyre. Autoritetet franceze raportuan rritje të aksidenteve, kaos në hapësirat publike dhe shkelje të vazhdueshme të rregullave të qarkullimit.

Më tej, në Mars 2024, Malta ndërmori një veprim edhe më të ashpër duke ndaluar të gjitha monopatinat me qira në nivel kombëtar. Sipas Ministrit të Transportit, shërbimet me qira ishin kthyer në një burim shqetësimi të përhershëm për qytetarët, ndërsa operatorët nuk kishin respektuar as rregullat më minimale.

Përdorimi privat i monopatinave mbetet i lejueshëm në Maltë, por vetëm me kufizime të rrepta dhe me përmbushje të kritereve të reja të sigurisë.

Në Finlandë, shqetësimet për mbi 1,600 aksidente të rënda dhe disa humbje jete të lidhura me monopatinat bënë që autoritetet të ndalojnë përdorimin e tyre për fëmijët nën 15 vjeç. Ligji i ri i Qershorit 2025 kërkon gjithashtu licencim lokal, kufizim shpejtësie në 25 km/h dhe ndalim të përdorimit nën ndikimin e alkoolit.

Ndërkohë, Melburni në Australi, pas 256 të aksidentuar dhe një viktimë vetëm në një vit, vendosi ndalimin e monopatinave me qira në Gusht 2024. Autoritetet pohuan se operatorët nuk kishin zbatuar standardet e sigurisë, ndërsa qyteti nuk kishte kapacitetin për të menaxhuar kaosin që solli përhapja e tyre.

Në Irlandë, monopatinat janë tashmë të ndaluara në të gjitha format e transportit publik, për shkak të rrezikut potencial të shpërthimeve të baterive.

Britania e Madhe ka ndër qasjet më konservatore: monopatinat private janë të ndaluara në rrugë dhe trotuare, përveç në disa programe pilot të kontrolluara.

Singapori, një nga vendet e para që reagoi, ndaloi përdorimin e monopatinave në trotuare që në Nëntor 2019, pas disa aksidenteve fatale. Ato lejohen vetëm në rrugë të dedikuara, me rregulla të qarta dhe standardizim të lartë sigurie.