Ja se sa e thjeshtë është që të heqësh një ‘zakon të keq’
Sipas Harvard Health, zakonet, qofshin ato të mira apo të këqija, funksionojnë si rutina automatike që e bëjnë më të lehtë menaxhimin e jetës së përditshme.
Siç shpjegon Dr. Stephanie Collier, drejtoreshë e programeve edukative në psikologjinë geriatrike në Spitalin McLean dhe profesoreshë në Shkollën Mjekësore të Harvardit, ‘truri nuk ka nevojë të analizojë në mënyrë aktive çdo vendim.’
Por ndryshe ndodh kur përpiqemi të thyejmë një zakon të keq. Kjo gjeneron një konflikt të brendshëm, të cilin truri përpiqet ta shmangë.
Dr. Luana Marques, profesoreshë e asociuar e psikologjisë në Harvard, shpjegon se kjo përplasje aktivizon sistemin limbik të trurit, pjesa që kontrollon përgjigjet instinktive ‘lufto, ik ose ngri’. Si rezultat, ne rikthehemi te sjellja e njohur, edhe kur jemi të vetëdijshëm se nuk është në të mirën tonë.
Për më tepër, shumë prej këtyre sjelljeve shoqërohen me një ndjesi kënaqësie, për shkak të çlirimit të dopaminës, neurotransmetuesi që lidhet me ndjenjën e shpërblimit. Edhe shmangia e ndryshimit mund të shkaktojë një kënaqësi të përkohshme, sepse perceptohet si një mënyrë për të ruajtur sigurinë. Kjo është arsyeja pse shpesh përfundojmë duke përsëritur të njëjtat modele të sjelljes.
Si të ndërpresim ciklin?
Dr. Collier thekson se nuk mjafton të mbështetemi vetëm te vullneti për të ndryshuar. Në vend që të përpiqemi të ‘rezistojmë’, duhet të mësojmë të mendojmë ndërsa veprojmë. Kur jemi në mes të një zakoni, për shembull duke shfletuar rrjete sociale duhet të ndalemi për një çast dhe të pyesim veten:
-A më sjell kjo kënaqësi të vërtetë?
-A është kjo më kuptimplotë se çfarë kisha në plan të bëja?
-Çfarë po fitoj dhe çfarë po humbas?
Ky akt i vetëvëzhgimit, nëse praktikohet rregullisht, ndihmon trurin të rindërtojë mënyrën si e percepton shpërblimin. Me kalimin e kohës, truri fillon të ‘shohë’ përfitimin emocional të një zakoni të mirë, dhe kështu, zakonet e vjetra zëvendësohen natyrshëm me të reja.
Kur qëllimet tona, si përqendrimi në punë apo kujdesi për veten, përputhen me sjelljen e përditshme, vetëdisiplina nuk është më e varur nga një përpjekje e vazhdueshme. Ajo bëhet pjesë e një procesi automatik, i përforcuar nga vetë rrjeti ynë nervor. Syri.net-iefimerida