SYRI TV/ Blegtoria në krizë, e konfirmon INSTAT, në 2024, rënie drastike e numrit të bagëtive
Blegtoria në Shqipëri po shkon drejt zhdukjes. Në vetëm një dekadë, vendi ka humbur pothuajse gjysmën e bagëtive dhe shpendëve, që kishte në vitin 2014. Sipas INSTAT, për vitin 2024, të gjitha kategoritë e blegtorisë kanë pësuar rënie. Në vetëm një vit në vend u regjistruan 9 mijë lopë më pak dhe rreth 100 mijë krerë dele më pak. Rënia e numrit të bagëtive dhe shpendëve, është pasqyruar edhe në rënie të prodhimit të qumështit dhe mishit në vend, produkte të cilat tashmë i zëvendëson importi.
Syri tv
Blegtoria në Shqipëria ka shënuar të tjera rekorde negative, duke konfirmuar krizën që po kalon sektori. Të dhënat zyrtare të INSTAT, tregojnë se në vitin 2023, Blegtoria pësoi rrudhje të numrit të të gjitha llojeve të bagëtive. Gjatë vitit 2024 numri i lopëve ra me gati 9 mijë krerë krahasuar me vitin 2023.
Numri i përgjithshëm i të leshtave në vitin 2024 ka rënë me 2,5%, nga 1.2 milion në 1.1 milion. Delet, si kategoria më përfaqësuese, kanë shënuar një rënie më të theksuar prej 3,8%, nga 1.006 mijë në 968 mijë krerë brenda një viti.
Edhe kategoritë e tjera si Dhitë, Derrat, shpendët apo njëthundrakët kanë pësuar rënie të konsiderueshme përgjatë vitit 2024. Këto shifra janë pasqyruar edhe në rënien e prodhimit të qumështit, i cili u ul me 2,7%, duke kaluar nga 900.569 tonë në vitin 2023 në 876.688 tonë në vitin 2024.
Prodhimi i mishit në peshë të gjallë ka pësuar një rënie prej 3,8%, nga 135.483 tonë në 130.334 tonë. Edhe pse në vitin 2023 u prodhuan 894 milionë vezë, në vitin 2024 prodhimi ka rënë lehtë në 888 milionë, me një ndryshim prej −0,7%. I vetmi sektor i blegtorisë ku ka pasur rritje, është Mjalti, pasi duket se në vend janë shtuar kosheret e bletëve.
Por shifrat bëhen dhe më dramatike, nëse i krahasojmë ato me vitin 2014. Në harkun kohor të një dekade, Shqipëria ka humbur pothuajse gjysmën e bagëtive. Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2024 Shqipëria ka 120 mijë lopë më pak, 600 mijë dele më pak dhe rreth 200 mijë dhi më pak.
Gjithashtu vendi ka rreth 3 milionë shpendë më pak krahasuar me vitin 2014. Këto shifra konfirmojnë dhe njëherë krizë ne sektorit të blegtorisë, ku shkaku kryesor është braktisja që shteti u ka bërë blegtorëve.
Ulja e numrit të bagëtive, që sjellë për pasojë rënie të prodhimit të mishit dhe qumështit në vend, ka rritur varësinë nga prodhimet e importit, ku tashmë tregu furnizohet me qumësht pluhur dhe mish i prodhuar në vende të tjera.