Ari nga bërthama e Tokës po del në sipërfaqe

Depozita më e madhe e arit në planet, bërthama e Tokës, mund të mos jetë aq e paarritshme sa është menduar deri tani. Sipas një studimi të ri të botuar në revistën Nature, sasi të vogla të metaleve të çmuara, përfshirë arin, mund të jenë duke u ngritur gradualisht nga bërthama drejt sipërfaqes së Tokës, përmes rrjedhës së magmës.

Në fazat e hershme të formimit të Tokës, kur planeti ishte ende një masë e shkrirë, elementët më të rëndë si hekuri dhe ari u fundosën në thellësi, duke formuar bërthamën, e ndarë sot në një shtresë të jashtme të lëngshme dhe një të brendshme të ngurtë. Besohet se më shumë se 99.99% e arit ndodhet ende në atë thellësi ekstreme, rreth 3,000 kilometra nën sipërfaqe.

Por studimi i ri tregon se një pjesë e vogël e këtyre metaleve mund të ‘udhetojë’ lart nëpërmjet magmës dhe të arrijë deri në mantel, dhe më tej në koren e Tokës.

Ky përfundim bazohet në analizat e izotopeve të metalit të rrallë rutenium (Ru) në mostrat e shkëmbinjve nga Hawaii. Ndryshe nga izotopet e zakonshme që vijnë nga asteroidët, kampionët përmbanin sasi të larta të izotopit 100Ru, një formë që, sipas shkencëtarëve, mund të ketë origjinën vetëm nga brendësia e Tokës.

Kjo është një provë e fortë se ari dhe metale të tjera të çmuara nuk kanë ardhur vetëm nga asteroidët që goditën Tokën në të kaluarën, por edhe nga vetë bërthama e planetit tonë.

Përveç rëndësisë së madhe për kuptimin e qarkullimit të metaleve të çmuara, studimi ofron prova të reja për origjinën gjeologjike të ishujve Hawaii.

Sipas ekipit kërkimor, ishujt janë formuar nga një rrjedhë e fuqishme magme që ngjitet drejt sipërfaqes nga kufiri mes bërthamës dhe mantelit, një proces që duket se vazhdon edhe sot.

Ky zbulim jo vetëm që rishkruan pjesërisht historinë e arit në Tokë, por hap rrugën për një kuptim më të thellë të dinamikës së brendshme të planetit dhe mënyrës se si këto procese ndikojnë në sipërfaqen ku jetojmë. Syri.net-ToVima.gr