SYRI TV/ Buçimas, ankesa për ujërat e zeza, banorët: Duhen 70 metra kanal, jemi ankuar, bashkia s`merr masa
Do të mjaftonte një tub prej 70 metrash për të kanalizuar derdhjen e ujërave të zeza të fshatit Buçimas, pranë impiantit të përpunimit të ujërave të ndotura.
Banorët thonë se, ndonëse kanë bërë kërkesa pranë Bashkisë së Pogradecit, deri më tani nuk u është ofruar asnjë zgjidhje për problemin.
Një numër i madh familjesh në fshatin Buçimas të Pogradecit vijon të përballet me mungesën e sistemit të kanalizimeve.
Problemi qëndron në mungesën e një segmenti tubacioni prej rreth 70 metrash, i cili do t’i lidhte këto banesa me rrjetin ekzistues dhe do të parandalonte derdhjen e ujërave të zeza në lumë, e më pas në liqenin e Pogradecit.
Ndonëse banorët kanë trokitur në dyert e institucioneve, duket se përgjegjësitë kalojnë nga një institucion te tjetri, pa dhënë një zgjidhje konkrete.
Ironikisht, impianti i përpunimit të ujërave të zeza ndodhet shumë pranë, por institucionet kanë justifikuar mungesën e ndërhyrjes me arsyetimin se zona konsiderohet "informale", pasi ndërtimet janë bërë pas viteve ’90.