SYRI TV/ Fier, 700 hektarë tokë në Cakran pa ujë për vaditje prej një dekade
Më shumë se 700 hektarë tokë bujqësore në të paktën gjashtë fshatra të Cakranit në Fier, nuk kanë sistem për vaditjen e tokave bujqësore. Banorët shprehen se uji për vaditje mungon prej një dekade. Ndonëse u është premtuar në çdo fushatë zgjedhore, banorët shprehin zhgënjim që nga pushteti nuk është bërë asgjë për ti dhënë zgjidhje këtij problemi.
Janë më shumë se 700 hektarë tokë bujqësore në disa fshatra të Njësisë Administrative Cakran, që nuk kanë ujë për vatidjen e tokave bujqësore.
Në fshatrat Gorishovë, Vreshtas, Cakran, Buzmadh, Tojkan dhe Selishtë bujqësia është në mëshirë të fatit, pasi prej një dekade, fermerët nuk kanë ujë për të vaditur kulturat bujqësore.
Ndërtimi i një sistemi vaditës ka qenë premtim i vazhdueshëm nga pushteti lokal dhe ai qendror, por deri më tani banorët kanë në kujtesë vetëm takimet elektorale dhe asgjë tjetër.
Në fushatën për zgjedhjet e 11 Majit, ministrja Belinda Balluku premtoi rikthimin e vaditjes, por edhe këtë verë toka mbeti e thatë dhe premtimi, një tjetër zhgënjim, pohuan banorët e zonës.