SYRI TV/ Elbasan, Lagjja 'Brigada 17 Sulmuese' pa ujë prej dy ditësh
Lagjja “Brigada 17 Sulmuese” në Elbasan pa ujë të pijshëm, banorët të revoltuar: Asnjë njoftim nga institucionet
Lagjja “Brigada 17 Sulmuese” në Elbasan po përballet prej ditësh me mungesë të ujit të pijshëm. Banorët thonë se furnizimi me ujë është i reduktuar dhe, prej dy ditësh, është ndërprerë plotësisht pa asnjë paralajmërim nga institucionet përkatëse.
Në këto ditë të nxehta vere, situata është bërë edhe më e vështirë, veçanërisht për të moshuarit, të cilët detyrohen të blejnë ujë për konsum. Sipas qytetarëve, aktualisht uji vjen me orar të kufizuar dhe pa asnjë transparencë për arsyet e ndërprerjes.
Përveç mungesës së ujit, një tjetër problematikë që rëndon mbi jetesën e banorëve janë rrugët e dëmtuara të lagjes. Prej më shumë se gjashtë muajsh, rrugët ndodhen në gjendje të keqe për shkak të punimeve për vendosjen e tubacioneve të ujësjellës-kanalizimeve. Kjo po e vështirëson ndjeshëm qarkullimin e mjeteve në zonë.
Banorët i bëjnë thirrje Bashkisë së Elbasanit dhe institucioneve përkatëse që të marrin masa urgjente për zgjidhjen e këtyre problemeve jetike.