SYRI TV/ Tensioni i ulët i energjisë i djeg orenditë, kryefamiljari: Jemi ankuar, s’janë marrë masa

Familja e Gëzim Vorfit në Barbullonjë të Lezhës nuk arrin të sigurojë energji elektrike në banesën e saj. Kryefamiljari shprehet se tensioni në shtëpi nuk i kalon 70 volt, duke shkaktuar dëmtimin e orendive shtëpiake dhe duke vënë në rrezik jetën e familjarëve. Ai pohon se nga institucionet shtetërore nuk është marrë asnjë masë, ndërkohë që në banesë i ka mbërritur edhe mbifaturim i energjisë.

Ndërkohë që ndodhemi në epokën e teknologjisë, familja Vorfi në fshatin Barbullonjë të Lezhës nuk siguron dot energji elektrike të qëndrueshme për në banesë. Tensioni që arrin në shtëpinë e tyre nuk i kalon 70 volt, për shkak të dëmtimit të linjës dhe kabinës elektrike që furnizon zonën, duke shkaktuar dëme ekonomike përmes djegies së pajisjeve shtëpiake. Kryefamiljari Gëzim Vorfi, i cili është i verbër, thekson se kjo situatë rrezikon seriozisht jetën e anëtarëve të familjes.

Pavarësisht ankesave të vazhdueshme, familja Vorfi nuk ka përfituar asnjë ndërhyrje për përmirësimin e situatës, ndërkohë që nuk i ka munguar as mbifaturimi i energjisë.

Nga ana tjetër, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në Lezhë bën me dije se ankesa e familjes Vorfi është marrë në konsideratë dhe po shqyrtohet mundësia e një ndërhyrjeje për t’i dhënë zgjidhje problematikës në këtë zonë.