Alarmante/ Nurja: Shqipëria po plaket me ritme të shpejta, më shumë vdekje se lindje

E ftuar në emisionin “Kafe Shqeto” me gazetarin Flavio Qarri, Ines Nurja, Drejtuese e Departamentit të Statistikave në Partinë Demokratike, theksoi me shqetësim tendencat alarmante demografike që po përjeton Shqipëria.

Ajo u ndal veçanërisht te rënia e lindshmërisë, plakja e popullsisë dhe ndikimi i emigracionit masiv. Sipas saj, këto janë tregues të një krize të thellë që po prek strukturën sociale dhe ekonomike të vendit.

Nurja solli në vëmendje shifra konkrete që tregojnë rritjen e diferencës mes lindjeve dhe vdekjeve, numrin gjithnjë e më të madh të familjeve pa fëmijë dhe tendencën për rritjen e moshës mesatare në Shqipëri.

Pjesë nga intervista në Syri Tv

Shifrat dramatike tregojnë nivelin e rënies ku ndodhemi dhe faktin se po plakemi shumë shpejt. Ky numër pritet të rritet më tej, pasi emigracioni është gjithashtu në rritje.

Lindjet janë në rënie. Vetëm për tremujorin e parë të vitit 2025 kemi 880 vdekje më shumë se lindje kjo është një rritje negative. Do të thotë që po përjetojmë një rënie drastike të lindshmërisë, që çon në plakje të shpejtë të popullsisë.

U përmendën familjet me një anëtar, por mua më shqetësojnë më shumë familjet pa asnjë fëmijë sepse ose kanë emigruar, ose janë çifte të reja që nuk kanë fëmijë për shkak të kushteve ekonomike apo arsyeve të tjera.

Sot, 37.5% e familjeve në Shqipëri janë pa fëmijë. Kjo do të thotë që janë familje me 1 ose 2 persona pa fëmijë, të moshave të ndryshme përfshirë ata që u janë larguar fëmijët në emigracion, por edhe ata që nuk e synojnë të bëjnë një fëmijë.

Këto janë shifra në rritje dhe tregojnë se popullsia po plaket me ritme të shpejta. Shumë shpejt, mosha mesatare në Shqipëri do të arrijë në 50 vjeç, çka do të prekë të gjithë vendin në mënyrë të gjerë.

Tirana shihet si pjesa me më shumë punësim dhe të rinjtë vijnë këtu pa familjet. Sipas mendimit tim, Tirana përbën përjashtim nga qarqet e tjera, sepse ata që nuk arrijnë të largohen jashtë vendit, e gjejnë zgjidhjen e tyre në kryeqytet.