Koleci: Murtaja te kafshët, sëmundje me përhapje të shpejtë dhe e vështirë për t’u gjurmuar
Përhapja e murtajës tek kafshët në vend, përbën një rrezik serioz për blegtorinë për shkak të natyrës së saj shumë ngjitëse dhe shkatërruese. Eksperti veterinar Xhelil Koleci, në intervistën në edicionin e lajmeve të mesditës në SYRI TV, theksoi se kjo sëmundje, e konsideruar si ‘ekzotike’, ka të njëjtat karakteristika shqetësuese si në Shqipëri, ashtu edhe në vendet e tjera ku janë shënuar shpërthime të ngjashme.
Ai paralajmëron se infeksioni përhapet brenda pak orësh apo ditësh, kryesisht përmes lëvizjes së pakontrolluar të kafshëve nga zona të infektuara drejt zonave të shëndetshme, shpesh pa dijeni për statusin shëndetësor të tyre.
Xhelil Koleci: Përhapja e murtajës tek kafshët është, në termat e numrave ndoshta nuk është dhe aq e madhe, por për shkak të karakterit të tepërt të përhapjes dhe shkatërrues është e ngjashme dhe me vendet e tjera ku kanë ndodhur shpërthimet e tilla sepse këto quhen sëmundje ekzotike dhe është mjaft e vështirë për tu gjurmuar dhe për të gjetur vërtetë burimin se nga erdhi infeksioni, për shkak të natyrës, biologjisë së infeksionit që ndodh në këtë rast.
Është infeksion shumë i përhapshëm, i transmetueshëm dhe mënyra më e mirë për të kontrolluar sëmundjen është kontrolli i lëvizjes së kafshëve. Pra, kontrolli i rreptë i lëvizjes së kafshëve, nga zonat në të cilat janë të prekura, të infektuara me zonat e tjera, për shkak se në këtë mënyrë përhapet infeksioni.
Fatmirësisht nuk qëndron për një kohë të gjatë, por është e mjaftueshme ër tu transmetuar brenda disa orëve apo ditëve. Rruga kryesore është përmes lëvizjes së pakontrolluar të kafshëve, nuk u dihet statusi shëndetësor nga një zonë në një zonë tjetër.
Janë disa sëmundje që grupohen në sëmundjet e kësaj natyre që përhapen shpejt dhe nëse sëmundja shpërthen, ka rregulla të caktuara që ferma vendoset në karantinë, vendoset jo vetëm ferma por zona me një diametër rreth 3 kilometër që është rreptësisht e ndaluar lëvizja e kafshëve apo e njerëzve.