SYRI TV/ Vijon prej 3 ditësh zjarri në landillin e Piskovës, banorët: Krim mjedisor, SPAK të hetojë
Nga Syri TV
Katastrofa mjedisore në landfillin e Piskovës vijon prej tre ditësh, ku djegia e mbetjeve liron tym me përbërje kancerogjene. Banorët dhe kryeplaku i fshatit protestuan këtë të premte pranë landfillit, duke akuzuar bashkinë dhe Ministrinë e Mjedisit për përsëritjen e kësaj situate. Ata deklaruan se landfilli nuk përmbush asnjë kriter dhe i bënë thirrje SPAK-ut që të hetojë këtë aferë të dyshuar korruptive.
Banorët e fshatit Piskovë, në bashkinë Përmet, kanë protestuar përballë landfillit të mbetjeve urbane, të cilat prej tre ditësh janë duke u djegur, duke shkaktuar ndotje të rëndë mjedisore. Sipas tyre, landfilli nuk përmbush asnjë standard ligjor dhe janë konstatuar shkelje edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, por megjithatë ai vazhdon të jetë funksional.
Banorët akuzojnë institucionet për mungesë veprimi dhe shprehin shqetësimin se shëndeti dhe jeta e tyre po rrezikohen.
Banorët dhe kryeplaku i fshatit, Arlind Dyrmishi, i bënë thirrje SPAK-ut të nisë hetimet, pasi dyshojnë se zjarri është vendosur qëllimisht dhe ishte planifikuar para zgjedhjeve, për shkak se gropa e mbetjeve ishte tashmë e tejmbushur.
Ata theksojnë se kanë katër vite që protestojnë për këtë problem serioz, por nuk ka pasur asnjë reagim nga Bashkia e Përmetit.
Edhe pse është deklaruar se të gjitha mbetjet urbane do të depozitoheshin në landfillin e Bajkajt, kjo nuk ka ndodhur, pasi kostoja e transportit është shumë e lartë dhe e papërballueshme financiarisht për shtatë bashkitë e qarkut Gjirokastër.