SYRI TV/ Pensionet e ulëta, të moshuarit detyrohen të punojnë/ 72 vjeçari shet fruta-perime për të siguruar jetesën
Pensionet e ulëta dhe kostot e larta të jetesës janë shkaku pse shumë të moshuar zgjedhin të punojnë edhe në moshë të thyer. Halil Noci, është 72-vjeç, por ka zgjedhur të shesë fruta perime për të siguruar jetesën në Tiranë, pasi pensioni është i pamjaftueshëm për të përballuar kostot. Të dhënat e INSTAT tregojnë se shkalla e punësimit për pensionistët arriti në 23.2%, një rritje e ndjeshme krahasuar me vitin 2023, kur kjo normë ishte mesatarisht 17%.
Nga SYRI TV
Halil Noci, është 72-vjeç. Ka dalë në pension rreth shtatë vjet më parë. Por, për shkak të pensionit të ulët, Halili edhe pse në moshë të thyer, vijon të punojë duke shitur fruta-perime në temperatura përvëluese.
I vendosur në stendën e tij modeste ai tregon arsyet se përse është detyruar të punojë. Shprehet se këtë punë e bën prej 7 vitesh që nga momenti që ka dalur në pension.
Halili nuk është i vetmi, edhe të moshuar të tjerë janë në vështirësi financiare. Për shkak të çmimeve të larta të ushqimeve, detyrohen të blejnë nga frutat ose perimet e ngelura, ndërsa jetesën e sigurojnë falë fëmijëve.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se në fund të vitit 2024, shkalla e punësimit për pensionistët arriti në 23.2%, një rritje e ndjeshme krahasuar me vitin 2023, kur kjo normë ishte mesatarisht 17%.
Në analizën krahasuese të vendeve të Europës, Shqipëria pozicionohet ndër vendet me normën më të lartë të punësimit për moshën e pensionit, menjëherë pas Islandës dhe Estonisë.