Prindërit italianë kërkojnë terapi prej 'makthit' të pushimeve të gjata shkollore

Prindërit italianë po u drejtohen psikiatërve për t'i ndihmuar të përballen me "makthin" e pushimeve të gjata verore shkollore në vend.

Shkollat shtetërore në Itali përfunduan të premten, duke hyrë në pushimet e zakonshme tremujore, me grupe fëmijësh të entuziazmuar që mblidhen për traditën e lagies me pistoleta uji dhe hedhjen e miellit në kokat e njëri-tjetrit.

Por për prindërit po nis ankthi se si t'i argëtojnë fëmijët deri në rifillimin e shkollës në shtator.

Ndërsa gjithnjë e më shumë gjyshër italianë vazhdojnë të punojnë edhe në të 70-at e tyre, zgjedhja tradicionale për t'ua lënë fëmijët gjyshe dhe gjyshit po zhduket.

Së bashku me Maltën dhe Letoninë, Italia ka pushimet verore më të gjata shkollore në Europë dhe kjo ka qenë prej kohësh një burim ankthi për prindërit.

Sipas Urdhrit të Psikologëve të Lombardisë, numri i prindërve që kërkojnë ndihmë psikologjike midis qershorit dhe gushtit rritet deri në 40%.

Ankesat më të zakonshme përfshijnë ankthin, irritimin dhe ndjesinë e pamjaftueshmërisë, sipas psikologes Mara Compagnoni.

"Pushimet supozohet të jenë një mundësi për lidhje familjare, por miti i pushimeve të përkryera dhe pamundësia për të kënaqur njëkohësisht fëmijët, punën dhe partnerin, shpesh gjeneron stres dhe zhgënjim," tha ajo për faqen italiane të lajmeve TGCom24.

Lufta e përvitshme për të siguruar kujdes për fëmijët është një sfidë logjistike, financiare dhe madje edhe psikologjike.

Ndër nënat që punojnë, 63% thonë se ndihen të "rraskapitura" gjatë pushimeve verore për shkak të përpjekjes për të balancuar punën dhe familjen.

"Për prindërit, vera është një makth," tha Francesco Fiore, një nga themeluesit e një blogu të jokonvencional të quajtur Mamma di Merda, i cili trajton çështjet e prindërimit.

Sipas saj, kjo sfidë fillon muaj më parë, kur prindërit përdorin tabela Excel për të kuptuar si do kujdesen për fëmijët ndërsa janë në punë.

Pushimet verore zyrtarisht zgjasin 13 deri në 14 javë, por mund të shtrihen edhe më shumë.

Fiore shpjegoi: "Kur rihapen në shtator, shkollat shpesh janë të çorganizuar. Stafi nuk është emëruar ende dhe shkolla shpesh fillon pjesërisht. Vetëm nga fundi i shtatorit funksionon plotësisht."

"Shoqëria po ndryshon thellësisht, shumë gjyshër tani punojnë deri në moshën 70-vjeçare, ose nuk janë të gatshëm të kujdesen për fëmijët, ose nuk jetojnë pranë."

"Familjet që kanë gjyshër të papunë janë me fat."

Sot shumë më tepër gra italiane janë të punësuara krahasuar me të kaluarën, kur nënat dhe gjyshet e tyre shpesh pranonin, dhe ndonjëherë edhe ishin të kënaqura, të kujdeseshin për fëmijët gjatë gjithë verës, ndërsa burrat e tyre shkonin në punë.

Situata është përkeqësuar edhe nga inflacioni dhe kriza e kostos së jetesës, që e ka bërë kujdesin për fëmijët dhe kampet verore gjithnjë e më të shtrenjta, qoftë në institucione publike apo private.

Sakrifica të mëdha financiare

Rreth 72% e familjeve duhet të bëjnë sakrifica të mëdha financiare për të paguar kujdesin ndaj fëmijëve dhe kampet verore, sipas Altroconsumo, një organizatë për të drejtat e konsumatorëve, dhe Censis, një institucion sondazhesh.

Disa çifte janë të detyruara të shkojnë me radhë me pushime, babai i merr fëmijët për disa javë, pastaj është radha e nënës, në mënyrë që së bashku të mbulojnë një bllok tre apo katër javor me lejen vjetore.

Të tjerë dorëzohen dhe i lënë fëmijët të ngjitur pas ekranit për pjesën më të madhe të ditës, ndërsa punojnë nga shtëpia.

Vjet nënat italiane nisën një fushatë për të shkurtuar kohëzgjatjen e pushimeve shkollore, duke thënë se ishin lodhur së zbavituri fëmijët për tre muaj çdo verë.

Një peticion online për zgjatjen e vitit shkollor dhe shkurtimin e pushimeve verore mblodhi mbi 70,000 firma.

"Mos u besoni të gjitha atyre fotove idilike që shihni në Instagram," komentoi gazeta La Repubblica. "Vera është një makth për qindra mijëra familje italiane." / The Telegraph - Syri.net