SYRI TV/ Vlora në katastrofë mjedisore nga plehrat, fusha e mbetjeve përfshihet nga zjarri

​Vlora përfshihet përsëri nga katastrofa mjedisore, pasi mesditën e kësaj të shtune, fusha e mbetjeve urbane u përfshi nga zjarri. Tymi toksik mbuloi qytetin ndërsa zjarri është përhapur në një perimetër të gjerë, duke shkaktuar ndotje masive të ajrit. Shkaqet e zjarrit janë të mistershme, por kryebashkiaku i Vlorës Ermal Dredha foli për zjarrvënie të qëllimshme. Madje duke tentuar të heq përgjegjësinë personale, Ermal Dredha ka kërcënuar vartësit e tij me kallëzim penal për zjarrin në fushën e plehrave.

SYRI TV

Teksa sapo ka nisur sezoni turistik, Vlora i rikthehet makthit nga djegia e plehrave. Mesditën e kësaj të shtune, fusha e mbetjeve urbane në lagjen “24 Maji”, u përfshi nga zjarri masiv, ndërsa retë e tymit toksik u përhapën në të gjithë qytetin duke shkaktuar ndotje të jashtëzakonshme.

Zjarri nisi në një grumbull mbetjesh, ndërsa është përhapur me shpejtësi në sipërfaqen e landfillit të mbetjeve. Siç shihet nga pamjet, retë e tymit janë ngritur në ajër, duke mbuluar një perimetër të gjerë të lagjeve në qytetin e Vlorës, i cili përshfihet për të disatën herë nga katastrofa mjedisore.  

Shkaqet e zjarrit janë ende të paqarta, por nuk përjashtohet mundësia që ato të jenë të qëllimshme apo dhe aksidentale. Megjithatë, në landfillin e mbetjeve urbane shkuan forca zjarrfikëse, të cilët punuan për shuarjen e flakëve.

Kryebashkiaku i vlorës, Ermal Dredha, i cili ka dështuar duke gënjyer disa herë qytetarët për zhvendosjen e mbetjeve urbane në Sherishtë, reagoi në rrjetet sociale duke ngritur prentendime se zjarri është vënë qëllimisht. Për t`i shpëtuar situatës së rëndë, me ndotjen toksike që shkakton djegia e plehrave në mes të qytetit, Ermal Dredha ka përdorur kërcënimin për vartësit e tij, duke u shprehur se do t`i kallëzojë në prokurori për shkak të mos kryerjes së detyrës për parandalimin e ngjarjeve të tilla.

Gjatë fushatës elektorale, Ermal Dredha deklaroi se mbetjet urbane të qytetit do të hidheshin në landfillin e Sherishtës, ndërsa ai në lagjen “24 maji” do të mbyllej. Por pak ditë pas zgjedhjeve, syri televizion kreu një vëzhgim ku konstatoi se mbetjet urbane të qytetit vijonin të hidheshin në qendër të qytetit, në landillin e vjetër.